Ronaldo mungon në Superkupën e Evropës?

Cristiano Ronaldo mund të mungojë në Superkupën e Evropës, ku Real Madridi do të luajë me Sevillan në Cardiff. Ylli portugez nuk është shëruar ende nga lëndimet që e përshkuan së fundmi.

Sport

22/07/2014 10:14

Cristiano Ronaldo do të shkojë hap pas hapi në sezonin e ri. Kështu ka vendosur ai dhe ua ka kumtuar këtë miqve të tij.

Ylli portugez nuk dëshiron të rrezikojë dhe të ketë probleme fizike, me të cilat u përball sezonin e kaluar.

Topi i Artë pritet t’i bashkohet ekipit të shtunën në përgatitjet që po i zhvillojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ronaldo luajti me probleme në gju në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar me Real Madridin në La Liga, në finale të Ligës së Kampionëve dhe në Botëror.

Përpos gjurit, ai pati edhe probleme muskulore. Prandaj, nuk do të zbresë në fushë më pa u shëruar komplet.

Reali e ka përgatitur një plan specifik dhe individual për futbollistit, i cili synon t’u japë fund problemeve.

Kjo nënkupton se Ronaldo nuk do të mund të luajë në Superkupën e Evropës kundër Sevillas në Cardiff.

Ronaldo synon të jetë gati për fillimin e sezonit të ri në La Liga.