Ronaldo – Messi, lajm shumë i çuditshëm

.

Sport

28/12/2017 16:59

Kërkesa e Thesarit për të dërguar Kristiano Ronaldon pas hekurave për fshehjen e të ardhurave nga të drejtat e imazhit e ka kthyer sërish në skenë këtë çështje, e cila dukej se u harrua pas muajve e verës. Ylli portugez është ende në hetim dhe, pas dëshmisë së tij përpara trupit gjykues, po pret vendimin final për të. Një problem që duket se ka ndikuar realisht në performancat e futbollistit gjatë këtij sezoni me Realin.

Por historia e Ronaldos është e lidhur ngushtë- sisht me Mesin edhe atëherë kur bëhet fjalë për problemet përtej fushës së blertë. Ai nuk dëshiron ta marrë kurrë si shembull argjentinasin, por i gjendur përballë një situate të vështirë ku rrezikon burgimin, ai dhe avokati i tij do të mbështetet pikërisht te… Mesi.

Për arsyen kryesore se edhe numri dhjetë i Barcelonës ka qenë i përfshirë në një çështje për evazion fiskal, por ia hodhi thjesht me një gjobë. Dhe nisur nga ky rast, avokati i Ronaldos ka paraqitur një tjetër dosje duke mbrojtur klientin e tij dhe duke sulmuar Thesarin e shtetit spanjoll.

Në dosje shkruhet që Thesari duhet të mbajë të njëjtin kriter për të gjithë të akuzuarit dhe për ata që dyshohen se kanë fshehur të ardhurat e tyre, referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Lionel Mesit. Ky i fundit u dënua me 21 muaj burg, të cilët u reduktuan në 15 dhe pastaj me gjobë. Argjentinasi akuzohej që kishte fshehur 4,1 milionë euro për dy vite, raporton Panorama.

Shuma e Ronaldos është më e lartë dhe ai dyshohet se nuk ka paguar taksat për 14 milionë euro të ardhura nga të drejtat e imazhit të tij. “Kemi dërguar në burg, edhe njerëz për shifra që nuk i kalojnë 1 milion euro. Ka pas hekurave persona për qindra euro”, tha një përfaqësues i Thesarit.

Menjëherë pas kësaj deklarate është vënë në lëvizje avokati i Ronaldos, i cili do të përdorë Leo Mesin si shembull për t’u mbrojtur. Përveç kësaj, ai kërkon që çështja e tij të gjykohet si një kundërvajtje administrative dhe jo penale. Në këtë mënyrë dënimi dhe vendimi i gjykatës për të do të jetë më lehtësues. Edhe Ronaldo kërkon që t’ia hedhë me një gjobë, ndërsa gjatë kësaj kohe po mendon seriozisht largimin nga Spanja dhe nisjen e një aventure të re në një kampionat tjetër, Francë apo Angli.