Ronaldo mbetet jashtë turneut amerikan

Cristiano Ronaldo nuk do të marrë pjesë në turneun amerikan. Real Madridi ka udhëtuar drejt Los Angelesit, por trajneri Carlo Ancelotti nuk do të mund të llogarisë në yllin e tij.

Sport

22/07/2014 12:39

Real Madridi ka vendosur të mos i përfshijë disa yje, përfshirë këtu edhe Cristiano Ronaldon, në skuadrën prej 20 futbollistësh, e cila do ta zhvillojë turneun para-sezonal në SHBA.

Përfaqësuesi portugez kishte probleme fizike në fund të sezonit të kaluar dhe gjatë Botërorit, kështu që Los Blancos kanë vendosur që të mos i bëjnë presion yllit portugez, para sezonit të ri.

Ronaldo, i cili e realizoi vetëm një gol në tri paraqitjet që i pati në Botërorin e brazilit, mund të mungojë edhe në Superkupën e Evropës ndaj Sevillës në Cardiff më 12 gusht, ndërsa do të mundohet të jetë i gatshëm për fillimin e sezonit të ri në La Liga.

29 vjeçari nuk është i vetmi emër i madh që do të mungojë në turneun amerikan, pasi lista është e gjatë: Iker Casillas, Sergio Ramos, Raphael Varane, Marcelo, Luka Modric, Toni Kroos, Angel Di Maria, Sami Khedira e Karim Benzema.

Xabi Alonso, Pepe e Fabio Coentrao janë të vetmit lojtarë që u grumbulluan në skuadër e që ishin pjesë e Botërorit, ndërsa në SHBA udhëtuan edhe Diego Lopez, Dani Carvajal, Alvaro Arbeloa, Asier Illarramendi, Isco e Gareth Bale.

Reali do të luajë me Interin, Romën dhe Manchester Unitedin, në periudhën 27 korrik – 2 gusht.