Ronaldo kërcënon Atleticon

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo beson në fitore ndaj Atletico Madridit në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve. Ai nuk ka humbur shpresat as për triumf në La Ligë.

Sport

09/05/2014 17:41

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është optimist për shanset e skuadrës së tij, për triumfin në Ligën e Kampionëve.

Dhe, ai nuk ka humbur as shpresën për triumf në La Ligë, edhe pse gjendja aktuale dhe matematika e thotë të kundërtën.

“Jemi në finale kundër një skuadre të madhe. Finalet gjithmonë janë 50-50, e sidomos tani kur e dimë se do të ndeshemi me një rival të madh. Shpresojmë të kalojmë një natë të madhe dhe të fitojmë finalen”, deklaroi Ronaldo për të përditshmen sportive spanjolle Marca.

“Atletico ka një skuadër fantastike, është lider në La Ligë dhe kjo do të thotë shumë. Është mirë që do të jetë një finale mes dy skuadrave spanjolle, kjo do të thotë se La Liga është shumë e fortë, dhe përforcohet edhe nga fakti se Sevilla është finaliste në Europa League”, shtoi ai.

Sa i përket La Ligës, ku Reali ka mbetur në pozitë të vështirë për të triumfuar, Ronaldo thotë: “Asgjë nuk është e pamundur. Duam të fitojmë edhe La Ligën, pas triumfit në Copa del Rey. Do të nënshkruaja në fillim të sezonit që të isha në gjendjen në të cilën jam sot”.