Ronaldo ka një lajm të keq për Real Madridin

Ronaldo nuk beson se Mauri Icardi planifikon të transferohet në Real Madrid.

Sport

08/02/2018 12:52

Transferimi i Ronaldos, “Fenomenit”, nga Interi te Reali i Madridit në vitin 2002 mbetet ndoshta pengu më i madh i ish-presidentit Massimo Moratti. E njëjta situatë mund të përsëritet verën e ardhshme me Mauro Icardin, që prej muajsh përflitet si pasuesi i Benzemasë te “Los Blancos”. Në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, Ronaldo braziliani “ngroh” disi tifozët zikaltër kur pyetet për këtë çështje.

“Jam i bindur që Icardi ndihet mirë tek Interi, ashtu siç jam ndier unë, edhe pse kam vuajtur shumë për arsye dëmtimesh. Sigurisht që lamtumira nuk ishte ajo që prisja. Edhe pse nuk kam shumë informacion nga merkato, e kam të qartë që Icardin e kërkojnë shumë klube. Të transferohesh te Reali është një ëndërr për çdo futbollist, por nuk e di nëse është edhe për të.”, transmeton “SuperSport.al”.

Në lidhje me garën për titullin kampion në Serinë A, Ronaldo dha këtë koment:

“Sfida Napoli-Juve e ditëve të sotme i ngjan përplasjes Real Madrid – Barcelona në kohën time, një duel që ishte një shkallë më lart se të tjerat. Napoli luan futboll shumë të bukur, por Juvja është shumë e fortë psikologjikisht. Do të më pëlqente ta fitonte Napoli pas dominimit disavjeçar të bardhezinjve. Sigurisht do të doja të thosha Interi, por… Është më mirë që fituesi të jetë një tjetër, sepse bëhet e mërzitshme.”  

Eliminimi i Italisë në play off nga Suedia, për Ronaldon ishte si një rrufe në qiell të hapur.

“Kur lexova se Italia nuk ishte kualifikuar, sikur dikush më dha një goditje. Në Brazil akoma nuk e besojnë, sepse Italia është për brazialinët si ato shoqet që i takon gjithmonë kur ka festë.”