Ronaldo e la pa gjumë Ibrahimovicin

Adrian Mutu ka bërë të ditur se Zlatan Ibrahimovic përjetonte ankth në gjumë për shkak të Ronaldos.

Sport

28/07/2015 13:41

Adrian Mutu ka bërë të ditur se ish bashkëlojtari i tij, Zlatan Ibrahimovic një herë u zgjua në gjysmë të nates pas një ankthi rreth Ronaldos.

Ish reprezentuesi rumun luajti së bashku me sulmuesin e Paris Saint-Germain në Juventus mes 2004-2006 dhe shpeshherë ndau dhomën me reprezentuesin suedez në ndeshjet si mysafir.

Por, ai nuk tregoi nëse bëhej fjalë për legjendën e Brazilit, Ronaldo, ose yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.

“Është e vështirë të them se kush ka qenë futbollisti më i talentuar me të cilin kam luajtur, por nëse më duhet të përmendi një, më duhet të zgjedh Zlatan Ibrahimovic”, deklaroi Mutu për “Costin Desliu”.

“Ne e ndanim dhomën së bashku në Juventus dhe njëherë më zgjoi në mes të natës. “Adi, zgjohu, kam parë një ankth. Kam ëndërruar se Ronaldo është më i mirë se unë”. I kam thënë të qetësohej dhe e sigurova se ai ishte më i miri në qarkullim”, shtoi ai.