Romët e Kosovës shesin gjithçka për të emigruar, mundësisht në Francë

Dhjetëra familje të komunitetit rom nga fshati Plementin kanë emigruar në shtetet e BE-së, muajve të fundit.

Lajme

17/03/2015 07:48

Destinacion i preferuar i romëve është shteti i Francës, ku mendojnë se kanë shanse më të mëdha për të fituar azilin.

Ata ankohen se kushtet e rënda të jetesës dhe papunësia e madhe i kanë shtyrë drejt largimit nga vendi, shkruan ‘Koha Ditore’.

Ismet Haliti është njëri prej anëtarëve të këtij komuniteti i cili është i papunë dhe ka një familje 8-anëtarëshe. Ai thotë se shembullin e të tjerëve do ta ndiqte nëse do të kishte të holla.

“Në Kosovë nuk po kemi kushte për me jetu normal. Po duhet me gjetë zgjidhje. Prej komunitetit tonë mendoj se janë dikund rreth 60 familje që kanë ikur. Ma së shumti kanë shkuar në Francë se atje komunitetet më lehtë mund të fitojnë azilin”.

“Unë jam i papunë dhe detyrohem me mbledh kanaqe nëpër mbeturina për me mujt me mbijetu, sepse i kam 6 fëmijë në shtëpi. Krejt këtu janë të papunë, dhe nuk kemi arsye me nejt më shumë”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, këto familje para se të merrnin rrugën e kurbetit kanë shitur gjithçka, duke përfshirë traktorë të ndryshëm që i kanë marrë si donacion nga organizatat e ndryshme, televizorë dhe orendi të ndryshme.