Roli i Fundit

Philip Seymour Hoffman njihej për rolet e mrekullueshme dytësore. Ndonëse Çmimin Oscar e fitoi për rolin kryesor - në Capote. Vdiq të dielën. Nga mbidoza e heroinës. Ishte 46 vjeçar.

ShowBiz

02/02/2014 21:00

“Mundohem ta jetoj jetën ashtu që të mos kem pendime të mëdha”.

“Prandaj punoj kaq shumë”.

“Nuk dua ta kem ndjenjën se më ka ikur diçka e rëndësishme”.

Kështu foli Philip Seymour Hoffman.

Njëri ndër aktorët më të vlerësuar bashkëkohorë është gjetur i vdekur në banesën e tij, të dielën, në New York.

Shkaku i vdekjes konsiderohet mbidozimi me heroinë. Ishte 46 vjeçar. Probleme me varësinë ndaj drogës dhe alkoolit kishte pasur edhe në të kaluarën.

Çmimin Oscar për Rolin Kryesor në Capote e fitoi në 2006, në të cilin e portretizoi shkrimtarin Truman Capote gjatë hulumtimit për librin In Cold Blood.

Hoffman ishte i njohur për rolet dytësore, të cilat i luante në mënyrë të mrekullueshme.

Tri herë u nominua për Oscar në këtë kategori: Charlie Wilson’s War (2007), Doubt (2008), The Master (2012).

Së fundi luajti në filmin The Hunger Games: Catching Fire, dhe kishte planifikuar të paraqitej edhe në pjesën e tretë të serisë, The Hunger Games: Mockingjay – Part 1, që duhej të xhirohej sivjet.

Në karrierën 20 vjeçare u spikat për transformimet e skajshme fizike që i bënte për t’iu përshtatur secilit personazh.

Pranonte të luante role të veçanta, ndonjëherë të çuditshme, duke u dhënë cilësi të njerëzishme.

Me këtë përvijim do të mbetet në kujtesën kinematografike.

Ndonjëherë xhironte disa filma në vit, bashkë me rolet dramatike në Broadway.

Luajti në më shumë se 60 filma, prej atyre të produksionit të pavarur, në ata kult – Boogie Nights, Big Lebowski, The Talented Mr. Ripley, deri te blockbuster’ët hollywood’ianë si Mission Impossible III.

Mund ta gjeni në Scent of a Woman, Magnolia, Almost Famous, Cold Mountain, Red Dragon, Synecdoche New York, The Invention of Lying, The Ides of March, Moneyball.

Në 2010 debutoi si regjisor, me Jack Goes Boating.

Prej 1999 jetonte me partneren Mimi O’Donnell, disenjatore e kostumeve.

Kishin tre fëmijë – dy vajza dhe një djalë.

 

A.M.

 

VIDEOLISTA

Capote

The Master

Charlie Wilson’s War

Doubt

Almost Famous