Roli dytësor i grave në Hollywood

Diskriminimi gjinor në industrinë filmike amerikane është i thellë. Në Top 250 filmat e vitit 2013, vetëm 6 për qind e regjisorëve janë gra.

ShowBiz

15/01/2014 21:00

Kur Kathryn Bigelow fitoi Oscar’in për The Hurt Locker, në vitin 2010, u mendua se prezenca e grave në Hollywood do të shtohej ndjeshëm.

Por, një hulumtim që u botua këtë javë dëshmon se gratë regjisore, skenariste, producente dhe drejtore të fotografisë, përbëjnë një numër shumë të vogël të protagonisteve në industrinë filmike amerikane.

Sipas raportit të Celluloid Ceiling, në 250 filmat me të ardhurat më të mëdha në 2013, vetëm 16 për qind e personelit që ka punuar prapa kamerave kanë qenë gra. Kjo është një rënie krahasuar me vitin 2012, kur ishin 18 për qind. Në 1998, gratë qenë prezente me 17 për qind.

Vetëm 6 për qind e regjisorëve të Top 250 filmave në 2013 janë gra, që shënon rënie prej 3 për qind në krahasim me 2012, aq sa ishte edhe në 1998.

Në fushën skenaristëve, rënia është 5 për qind: në 2012 ishte 15 për qind, kurse në 2013 bie në 10 për qind.

Kategoria më prosperuese për gratë është ajo e producenteve: aty janë të përfaqësuara me 25 për qind.

Vetëm 3 për qind e drejtorëve të fotografisë janë gra, kurse 5 për qind e specialistëve të zërimit, mbikëqyrësve të efekteve vizuale dhe të efekteve speciale.

Martha Lauzen, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Studimin e Grave në Televizion dhe Film, në Universitetin Shtetëror të San Diego’s (Centre for the Study of Women in Television and Film at San Diego State University), e cila e ka përpiluar raportin, është pesimiste.

“Industria e filmit është në një gjendje të inercisë gjinore. Punësimi i grave në pozita të rëndësishme nuk ka pasur lëvizje pozitive”.

“Gratë ballafaqohen me realitete të vrazhda në këtë industri”.

 

A.M.

Helen Mirren On Female Directors

Kathryn Bigelow – The Hurt Locker

Sofia Coppola – Lost in Translation