Role me arra dhe krem kafe

Receta e kësaj ëmbëlsire është relativisht e thjeshtë për t’u realizuar dhe rezultati do të jetë tepër i shijshëm.

Lifestyle

11/01/2015 22:12

Përbërësit për një role (afërsisht për 6 persona):

Për pandispanjen:
100gr miell
100gr arra të qëruara dhe të reduktuara në miell me ndihmën e mikserit
100gr sheqer të bardhë
4 vezë
1 lugë të vogël plot pluhur pjekës
pak vanilje
30gr vaj ulliri ose gjalpë të shkrirë në mikrovalë
pak rum për spërkatje (jo nëse u serviret fëmijëve)

Për kremin me kafe:
250ml krem pana për ëmbëlsira
1 lugë të vogël kafe e tretshme në ujë
disa arra të qëruara në copa të vogla

Për ta mbushur:
Sheqer pluhur

Udhëzimet:
Përgatisim pandispanjen duke ndarë si fillim të bardhat nga të verdhat e vezëve në dy enë të veçanta. Me ndihmën e një mikseri elektrik, rrahin të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të përfitojmë një përbërje kremoze dhe me ngjyrë të hapur.

Shtojmë arrat e reduktuara në pluhur, miellin e situr, pluhurin pjekës, vaniljen dhe vajin e ullirit duke i përzier shumë mirë.

Në enën tjetër rrahim të bardhat e vezëve me pak kripë derisa të përfitojmë një masë që nuk bie nga ena. Ja shtojmë këtë përbërjes me të verdhën e vezës duke e përzier me kujdes nga poshtë lartë. Në këtë mënyrë kemi përfituar brumin e pandispanjes së rolesë. E hedhim brumin në një tavë me përmasa rreth 20×30 të shtruar me letër furre, e nivelojmë mirë dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 200’C për 5-7 minuta, apo derisa pandispanja të marrë ngjyrë të artë në sipërfaqe.

E lyejm me sheqer pluhur një pecetë të pastër të lagur me ujë e të shtrydhur shumë fort dhe vendosim mbi të pandispanjen duke i dhënë formën e rolesë. E lëmë të ftohet ndërkohë që përgatisim kremin.

Shkrijmë në pak ujë të vakët kafen e tretshme. Rrahim me ndihmën e një mikseri elektrik panen për ëmbëlsira dhe shtojmë ngadalë kafen duke vazhduar rrahjen.

Bëjmë përgatitjen përfundimtare të rolesë: marrim pandispanjën, e çrrotullojmë dhe e lagim me pak rum ose me pak aromë rumi të tretur në ujë. Për ata që nuk e preferojnë këtë aromë mund ta lagin me pak kafe të tretur në ujë apo qumësht duke i shtuar ose jo sheqer. E lyejmë kremin e përgatitur duke e niveluar mirë në të gjithë sipërfaqen, shtojmë disa arra në copëza të vogla dhe e rrotullojmë sërish me shumë kujdes duke e vendosur në pjatancen ku do ta shërbejmë. E spërkasim me pak sheqer pluhur, dhe në momentin që do ta shërbejmë e presim në feta.