Rogova folëse në “NATO talk” në Bruksel

Dje në selinë e NATO-s në Bruksel është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas, me ç’rast Igballe Rogova foli si aktiviste e shoqërisë civile, njëkohësisht si anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në NATO.

Lajme

09/03/2017 13:45

“Ne, aktivistet për të drejtat e grave për paqe besojmë se nuk mund të ketë paqe dhe siguri pa drejtësi”, ka thënë Rogova duke folur për situatën e grave të prekura gjatë luftës në Kosovë.

Rogova gjatë rrëfimit të saj për guximin dhe ndryshimin, në mes të tjerash theksoi që është e rëndësishme që përfaqësuesit e delegacioneve të NATO-s të konsultoheshin edhe me gra, jo vetëm me politikanë, sepse sipas saj gratë mund të identifikojnë nevoja dhe prioritete të ndryshme, transmeton lajmi.net

Rrejti i Grupeve të Grave të Kosovës përmes një komunikatë për media bënë të ditur se programi u hap me lancimin e regjistrimit për “She runs, He runs, Ëe run”, një iniciativë që u zhvillua vitin e kaluar në selinë e NATO-s. Ky vrapim solidariteti 13.25 km, që këtë vit do të organizohet me 13 maj, ka për qëllim të nxjerrë në pah rolin e sportit në promovimin e barazisë dhe solidaritetit gjinor, përmes ndërgjegjësimit lidhur me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Gjatë seancës së parë u mbajtën fjalime përshëndetëse nga Ambasadorja Marriët Schuurman, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë; Lt. Kolonel Magdalena Dvorakova, Shefe e Zyrës për Stafin Ndërkombëtar Ushtarak për Këshilltar për Barazi Gjinore në NATO; Tara Nordick, Zyrtare Politikave dhe Diversitetit të Burimeve Njerëzore, Menaxhmenti Ekzekutiv; dhe Anne Rosner, Përkthyese Konferencash në selinë e NATO-s dhe vrapuese e maratonës.

“Ju kujtojmë që znj. Rogova, me ftesë të Ambasadores Marriët Schuurman, Përfaqësuese Speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile i NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili është krijuar gjatë vitit 2016. Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në NATO, ka si synim të përfshihet në një dialog më sistematik dhe të rregullt me shoqërinë civile në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, në mënyrë që NATO të ketë mundësinë të përfitojë nga ekspertiza e vlefshme dhe njohuritë që shumë organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë individual kanë zhvilluar në këtë fushë”, thuhet në këtë komunikatë.

Më tej, thuhet se përmes kontributit dhe rekomandimeve nga shoqëria civile, NATO shpreson të rris zbatimin e Politikës mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të cilën 28 Aleatët dhe 27 partnerët e NATO-s e kanë adoptuar në vitin 2014.  Gjithashtu bëhet e ditur se krijimi i këtij Paneli është paraparë në Planin e Veprimit të NATO-s për Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSOKB).

“Përzgjedhja e Rogovës është bazuar në rekomandimet e marra nga kombet e bashkauara dhe organizatat ndërkombëtare. Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile përbëhet nga dy grupe, Grupi Kryesor i personave të shoqërisë civile që marrin pjesë personalisht dhe Grupi i OJQ-ve ku secila përzgjedh një person për të përfaqësuar atë OJQ në Panel. Rogova është anëtare e Grupit Kryesor. Takimi i parë vjetor i këtij paneli është mbajtur me 17 – 18 tetor 2016, në Bruksel”, përfundon komunikata. /Lajmi.net/