Robben i barabartë me Messin dhe Ronaldon

Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Matthias Sammer beson se mesfushori Arjen Robben është futbollist i klasit botëror, njësoj sikurse yjet e mëdhenj, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Sport

23/04/2014 12:02

Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Matthias Sammer ka shprehur admirimin e tij për Arjen Robbenin para duelit të parë kundër Real Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Ai beson se ylli holandez është i barabartë me yjet si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

30-vjeçari është shndërruar në një prej futbollistëve kryesor të Bayernit pas transferimit në klub nga Real Madrid në verën e vitit 2009 dhe Sammer beson se Robben meriton mirënjohje për paraqitjet e tij të mira.

“Për mua, Robben është në nivel të njëjte me yjet e nivelit botëror si Messi, Ronaldo dhe Neymar”, deklaroi Sammer për Sport Bild Plus.

“Arjen meriton respekt për mënyrën si paraqitet vit pas viti, sidomos në ndeshjet e mëdha. Ai është futbollist i jashtëzakonshëm dhe profesionist i madh. Arjen është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bayernin. Ne e vlerësojmë atë shumë. Ai është yll i pazëvendësueshëm”, përfundoi Sammer.

Robben ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni duke shënuar 19 gola në 39 paraqitje për kampionin e Bundesligës.