Rizgjidhet presidente e Brazilit

Dilma Rousseff nga Partia e Punëtorëve është rizgjedhur presidente e Brazilit, pas sigurimit të më shumë se 51 për qind  të votave në garën më të ngushtë presidenciale që është zhvilluar ndonjëherë në këtë vend.

Bota

27/10/2014 09:15

Sipas të dhënave zyrtare, kundërkandidati i saj, Aecio Neves, ka marrë pak më shumë se 48 për qind të votave, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Në fjalimin e saj të fitores, presidentja e rizgjedhur, Rousseff, tha se fitorja e dytë do të thotë që të përpiqet të jetë një presidente edhe më e mirë se sa që ka qenë deri më tani.

Rousseff, i cila erdhi në pushtet në vitin 2010, vitin e kaluar është përballur me protestat për korrupsion dhe shpenzime të mëdha në Kampionatin Botërorë të Futbollit, por megjithatë edhe kësaj radhe u mbështet shumë nga brazilianët e varfër, në sajë të reformave dhe programeve të mirëqenies të qeverisë së saj.

Zgjedhjet presidenciale megjithëkëtë e kanë ndarë në dysh vendin më të madh të Amerikës Latine, përgjatë linjave të klasës sociale dhe gjeografisë.

Rousseff, duke e ditur se kundërkandidati ka marrë gati gjysmën e votave, u bëri thirrje të gjithë brazilianëve të bashkohen në favor të së ardhmes të Brazilit, dhe tha se ajo do të kërkojë reforma politike.

“Si presidente jam e hapur për dialog. Ky është prioriteti kryesor i mandatit tim të dytë”, tha ajo përpara mbështetësve të saj në kryeqytetin, Brazilia.