Rivotim në tri vendvotime në Veri

Samuel Zbogar konsideron se votimi ka kaluar me sukses edhe në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, ku zgjedhjet janë zhvilluar për herë të parë nga shpallja pavarësisë së Kosovës.

Lajme

05/11/2013 13:32

Përfaqësuesi Special i Bashkmit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka vlerësuar se raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ishte i suksesshëm dhe ka paralajmëruar mundësinë që zgjedhjet të përsëriten në tri vendvotime në Mitrovicën e Veriut në të cilat, siç është shprehur, huliganët shkatërruan materialin zgjedhor.

Zbogar konsideron se votimi ka kaluar me sukses edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku zgjedhjet janë zhvilluar për herë të parë nga shpallja pavarësisë së Kosovës. Ai ka deklaruar për Televizionin Slloven se në zgjedhjet lokale edhe në pjesën veriore të Kosovës pjesëmarrja e votuesve ka qenë e mirë.

Zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Kosovës që janë mundësuar në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës paraqesin “kthesë” në “procesin e pakthyeshëm” të integrimit të Kosovës dhe heqjes së strukturave paralele gjyqësore dhe policore në veri dhe garantojnë një zhvillim pozitiv të rrugës europiane të Serbisë dhe Kosovës.