Rivitalizimi i urës mbi Ibër nis të dielën në ora 10:00

“Edhe pse projekti financohet në tërësi nga BE-ja, realizimi i tij është shumë i rëndësishëm për qytetarët e të dyja anëve të lumit Ibër, andaj edhe komuna është shumë e përkushtuar që rivitalizimi i urës të bëhet në afatin e paraparë kohor dhe për këtë arsye do të jetë shumë bashkëpunuese dhe do të ofroj ndihmën e saj që kërkohet”, tha Bahtiri.

Lajme

12/08/2016 17:46

Përfaqësues të Kompanisë “Sintek-K-ing” për Kosovë dhe Maqedoni, përfitues të tenderit për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, me në krye menaxherin e projektit Bujar Zeçiri, kanë filluar parapërgatitjet për fillimin e punëve për realizimin e projektit.

Ata janë takuar afër urës, në cepin jugor të saj, me kryetarin e komunës, Agim Bahtiri dhe drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm, Sami Zeka, me ç’rast kanë biseduar për disa minuta për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e këtij projekti tepër të rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj  dhe të shumë pritur.

“Edhe pse projekti financohet në tërësi nga BE-ja, realizimi i tij është shumë i rëndësishëm për qytetarët e të dyja anëve të lumit Ibër, andaj edhe komuna është shumë e përkushtuar që rivitalizimi i urës të bëhet në afatin e paraparë kohor dhe për këtë arsye do të jetë shumë bashkëpunuese dhe do të ofroj ndihmën e saj që kërkohet”, tha Bahtiri.

Menaxheri i projektit, Zeçiri, tha se punët do të nisin ashtu sikur është vendosur në Bruksel, të dielën, më 14.08.2016, në ora 10:00 dhe se bashkëpunimi midis komunave dhe punëkryesit është i domosdoshëm, sepse punët  mund të kryhen shumë më lehtë e më mirë, nëse komunat ofrojnë mbështetjen e tyre, siç është bie fjala sigurimi i hapësirave përreth urës për makineri, objekte ndihmëse etj.

Kryetari Bahtiri dhe drejtori Zeka, premtuan mbështetjen e tyre për punëkryesin në çdo moment që ajo kërkohet, duke përfshi këtu edhe largimin nga hapësirat të bizneseve të përkohshme që pengojnë punimet.