Riorganizimi i Trepçës, pas kompletimit të bordit të AKP-së

Agjencia Kosovare e Privatizimit është duke pritur formimin e bordit të vet të drejtorëve, në mënyë që pastaj të fillojë procesin e riorganizimit të kompleksit metalurgjik “Trepça”, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj agjencie.

Lajme

03/05/2015 13:42

Sipas Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurive të tyre, administrator i ndërmarrjes “Trepça” është AKP-ja, derisa i gjithë procesi do të mbikëqyret nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Zëdhënësi i KP-së, Yll Kaloshi shpalos detajet rreth procesit të riorganizimit të ndërmarrjes Trepça, njofton Radio Evropa e Lirë.

“Agjencia ka obligime bazuar në këtë ligj, si administrator i kësaj ndërmarrjeje. Ka pasur diskutime të shumta sa i përket planit për riorganizim që duhet të dorëzohet sipas ligjit nga AKP- ja në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”.

“Tashmë ka afat shtesë që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe agjencia është në proces e sipër të kryerjes së obligimeve ligjore që ka, bazuar në ligjin në fjalë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të formohet bordi i drejtorëve të AKP-së dhe do të zhvillohen proceset që janë të nevojshme për ndërmarrjen Trepça”, tha Kaloshi.

Ky riorganizim, sqaron Kaloshi, përfshin angazhimin e ofruesve të shërbimeve profesionale, ekipe ekspertësh që do të ndihmojnë në hartimin e planit për riorganizim, si dhe në proceset tjera, siç është regjistrimi i aseteve mbitokësore, regjistrimi i rezervave dhe minerareve nëntokësore.

Pas gjitha këtyre proceseve, shton Kaloshi, do të nxirren të dhëna të sakta për ndërmarrjen.

“Do të thotë, do të regjistrohen obligimet, do të dihet se çfarë obligimesh ka ndërmarrja Trepça, pasi që flitet shumë për kreditorë, derisa akoma nuk kemi të dhëna të sakta se sa është numri i këtyre kreditorëve dhe cilat janë obligimet ndaj tyre”.

Pasuria e kompleksit “Trepça” ka qenë pjesë e diskutimeve të shumta në Kosovë. Njohësit e kësaj fushe kishin deklaruar vlera të ndryshme sa i përket pasurisë së kësaj ndërmarrjeje.

Por, deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kësaj ndërmarrjeje. I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës, që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Ajo çka mund të thuhet për vlerën e këtij kombinati, sipas ish-udhëheqësve të tij dhe njohësve të kësaj fushe, është se ky kombinat ka rezerva të mëdha të xeheve të plumbit, zinkut, argjendit dhe arit.

Ish-drejtori i “Trepçës”, Burhan Kavaja pati theksuar më herët se nuk janë bërë hulumtime të detajuara dhe praktikisht është shumë e vështirë të dihet vlera reale.

“Në vitin 1992 kemi bërë një vlerësim për të gjitha resurset e Kosovës, vlera ka qenë 505 miliardë dollarë; pjesa kryesore e tyre ka qenë thëngjilli, kaustobiolidet. Atëherë pati mbetur që Trepça, në atë kohë potencialin material e ka pasur 85 miliardë dollarë. Mirëpo, tash nuk mund të themi sa është vlera reale, se edhe në kohën kur e kanë shfrytëzuar serbët, edhe në kohën kur e kemi shfrytëzuar ne, nuk janë bërë kurrfarë kërkimesh që do të ishin të verifikuara dhe të kategorizuara”. /Radio Evropa e Lirë/