Riorganizimi i politikës kosovare

Politika kosovare ka mbërritur në një pikë të thyerjes, ashtu siç ndodhi një herë për shkak të vdekjes së Presidentit Rugova, dhe pastaj, si pasojë e bërjes së shtetit të Kosovës.

Opinion

18/09/2014 14:24

Në Kosovë nuk ka krizë politike. Kosova vetëm po përballet me një sfidë të re në ndërtimin e institucioneve demokratike. Demokracia në Kosovë është e re. Shteti i Kosovës është poashtu i ri. Ndryshe, zgjedhjet e 8 qershorit kanë qenë më të mirat që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur. Janë të kuptueshme sfidat e shumta me të cilat përballet një shtet çfarë është Kosova. Më në fund dhe më kryesorja, Kosova ka perspektivë evropiane. Për të ecur në drejtimin e duhur në këtë aspekt, autoritetet kosovare gjithsesi duhet të ballafaqohen me sfidën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Por mos të harrojmë edhe që pavarësia e Kosovës është a pakthyeshme.

Dhe kështu me radhë.

Janë këto fjali të cilat me autorë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, mund të dëgjohen dhe lexohen në Kosovë për çdo ditë të lume. Janë pohime të kota në fakt, neutrale ndaj realitetit në Kosovë, politikisht këto qëndrime janë korrekte, sepse nuk thonë gjë prej gjëje, nuk e prekin a lëndojnë kënd, dhe e gjithë skena politike kosovare, është e gatshme t’i nënshkruajë këto fjali me të parën.

Nuk ke çka matesh fare këtu.

Fjala sfidë, në mënyrën si është përdorur në Kosovën e pasluftës, është objektivisht ekuivalente e asaj kutisë së zezë të aeroplanëve, e cila e dëfton të vërtetën për një aksident të madh në trafikun ajror. Nëse dikush ka kohë dhe nisë e shfleton gazetat kosovare që prej verës së vitit 1999-të e këndej, do të kuptojë mirë se për çka flitet në këtë rast, dhe pse kjo fjalë është përdorur më së shumti për të arsyetuar dështimet vendore dhe ndërkombëtare, për të justifikuar mungesën reale të gatishmërisë së kosovarëve dhe perëndimorëve për tu ballafaquar me problemet e mëdha të Kosovës, sepse vetëm në atë mënyrë (në ballafaqim e sipër) zaten kapet kuptimi i mirëfilltë i kësaj fjale.

Kështu po ndodhë edhe tani, veçmas në javët e fundi, që prej se u mor vesh verdikti i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së autoriteteve më të larta të Kuvendit të Kosovës.

Definicioni i krizës si dukuri është ky: Kriza është një ngjarje që është apo pritet të jetë burim i një situate të paqëndrueshme apo të rrezikshme, e cila afekton individin, grupin, bashkësinë, apo gjithë shoqërinë.

Nëse tash i kthehemi realitetit kosovar, çka po përcaktojmë tani, a i rri më afër fjalës krizë, apo është një tjetër sfidë e politikës dhe shoqërisë kosovare?

Kriza ka edhe domethënien e pikës kthesë, çastit zero kur gjithçka mund të kthehet në një situatë të pastër pozitive apo negative.

Nuk ka mes këtu. Nuk ka kompromis këtu. Duhet diçka të ndodhë.

Kështu na flet fjala dhe dukuria e krizës.

Ama ne këndejpari, vetëm kemi punë me sfida, jo me probleme, e lëre më me kriza.

Kemi ta zëmë, sfidën e organizimit eventual të zgjedhjeve të reja në Kosovë, nëse do të ketë dështim në ndërmarrjen e krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës, ndërsa realiteti na thotë që nëse politika dhe shoqëria kosovare do të detyrohen të ecin në atë drejtim, do të hymë në fazën më të rrezikshme politike që prej se Kosovës është bërë shtet i pavarur.

Politika e sotme kosovare ka mbërritur në një pikë të thyerjes, të ridefinimit dhe riorganizimit të saj, ashtu siç ndodhi një herë për shkak të vdekjes së Presidentit Rugova  (janar, 2006), dhe pastaj, si pasojë e bërjes së Kosovës shtet i pavarur  (shkurt, 2008).

Kjo dukuri është e pakthyeshme, pa marrë parasysh se kush si e shpjegon gjendjen e sotme politike në vend.

E nëse duam t’i kthehemi realitetit, ta kuptojmë atë, dhe pastaj, të organizohemi për ta ndryshuar atë në bazë të një vizioni të qartë politik, pritjeve të qytetarëve të vendit, obligimeve që i kemi ndaj BE-së  (në mënyrë për ta përgatitur Kosovën për anëtarësim në BE), rendi është që fjalën sfidë ta zëvendësojmë me fjalën detyrë, sepse ajo i rri shumë më mirë punëve që na presin.

Kemi detyrë ta luftojmë krimin dhe korrupsionin. Kemi detyrë ta zhvillojmë ekonomikisht Kosovën, ta ulim papunësinë, ta krijojmë një qëndrueshmëri sociale. Kemi detyrë ta integrojmë Veriun e Kosovës. Kemi detyrë t’i ndërtojmë dhe mbajmë institucionet demokratike të Kosovës. Kemi detyrë të bëjmë Kosovën shtet të qëndrueshëm.

Kemi edhe shumë detyra të tjera.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)