Rinumërimi i votave mund të bëhet në QNR

Valmir Elezi i KQZ-së thotë se kërkesa për rinumërimin e votave në QNR ka për qëllim rritjen e transparencës dhe besimit të kandidatëve dhe votuesve në rezultatet zgjedhore.

Lajme

28/05/2014 14:50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë që rinumërimi i votave të zgjedhjeve nacionale të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Një kërkesë e tillë ka ardhur nga anëtarët e KQZ-së dhe pritet të shqyrtohet nga sekretariati në mbledhjen e radhës e cila pritet të mbahet të enjten apo premten, raporton Radio Kosova.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se do të hartojnë një plan për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Sipas tij, kjo ka për qëllim rritjen e transparencës, besimit të kandidatëve dhe votuesve në rezultatet zgjedhore.

“Tashmë ka mbet që Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëjë një plan, të shoh mundësitë e Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve, të shoh koston dhe detajet tjera, pastaj KQZ do të vendosë lidhur me këtë”, tha ai.