Rikthehet gara NASA Space Apps

Më 29 dhe 30 Prill, në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK), mbahet edicioni i tretë e garës prestigjoze NASA Space Apps Challenge.

Auto & Tek

09/04/2017 10:45

Të dashur tokësorë, gara më e madhe në botë për zhvillimin e web platformave dhe aplikacioneve mobile, NASA Space Apps Challenge rikthehet për herë të tretë në Prishtinë, me organizim të Innovation Centre Kosovo (ICK). Mijëra garues nga mëse 120 shtete të 6 kontinenteve, takohen më 29 Prill për të përjetuar aventurën 48 orëshe të kodimit dhe dizajnimit të zgjidhjeve më të mira për “shpëtimin” e planetit tonë shtëpi – Tokës.

Kodues, shkencëtarë, profesorë, dizajnerë, artistë, gazetarë, inxhinierë dhe të tjerë të tjerë të interesuar, ftohen që të bashkangjiten në misioni për adresimin e sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet planeti Tokë dhe hapësira në përgjithësi.

NASA Space Apps 2017 ka vetëm një kategori garuese – Planeti Tokë, ndërsa pjesëmarrësit duhet të përcaktohen në ofrimin e zgjidhjes për njërën nga pesë nën-kategoritë, të përgjedhura nga shkencëtarët e NASA: “Toka dhe Ne” – habitati i vetëm për të cilin nevojitet kujdes i shtuar, “Planetary Blues” – analizimi dhe vizuelizimi i të dhënave për hidrosferën dhe kriposferën e planetit, “Vërejtje! Jemi në rrezik” – monitorimi dhe parandalimi i katastrofave natyrore, të cilat paraqesin rrezik për jetën dhe pronën, “Një Tokë Ekologjike” – tani që NASA është në mision për zbulimin e jetës në planetet tjera, nuk duhet t’a harrojmë ruajtjen e biosferës së planetit tonë të vetëm, si dhe “Ideo dhe Krijo” – zbulimi i mistereve të reja në Tokë, interpretimi i të dhënave ekzistuese dhe dizajnimi i teknologjive të reja me qëllim të ballafaqimit me sfidat e planetit.

Të gjithë pjesëmarrësit e interesuar nga Kosova duhet të regjistrohen online KËTU. Regjistrimet janë individuale, megjithatë rekomandohet që ekipet të krijohen paraprakisht dhe të përcaktohen për njërën nga nën-kategoritë e garës.

Më 2015, nga mëse 900 projekte nga e e mbarë bota, ekipi “NatEv Explorer” nga Kosova arriti “triumfin galaktik” duke rrëmbyer çmimin global “People’s Choice Award”.

Për më shumë informata rreth garës kontaktoni Innovation Centre Kosovo (events(at)ickosovo.com), Facebook ose Twitter.