Rikalo: Mbi 1 milion euro janë dëmet nga të reshurat, bujqit do të kompensohen nga rezervat e shtetit

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo tha se deri më tani dëmet e shkaktuar nga të reshurat janë rreth 1 milion e 200 mijë euro.

Lajme

10/07/2018 13:00

Por sipas tij, duke marrë për bazë që edhe këto ditë ka pasur reshje të mëdha, dëmet janë më të mëdha, dhe se shuma e dëmeve do të mësohet pas vlerësimeve të bëra nga komisioni i ministrisë.

Në Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor Rikalo, shtoi se do të kërkojnë nga Qeveria ndarjen e mjeteve nga rezervat e shtetit për të ndihmuar bujqit nga i gjithë vendi, raporton Ekonomia Online.

“Ajo që tani po bëjmë është se menjëherë do i kërkojmë Qeverisë ndarjen e mjeteve nga rezervat e shtetit për ndërhyrjen urgjente sepse kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe bujqit duhet ndihmuar”, tha Rikalo.

“Kjo është temë që na dhëmb të gjithëve, edhe prodhueseve dhe ministria çdo vit edhe këtë vit bën çdo gjë që është në mundësi të saja që të zbusë dëmet dhe shkaqet janë klimatike natyrore dhe ato natyrisjt në mënyrë drastike ndikojnë në natyrë si nga ngricat, breshëri, të reshurat qe i dëmtojnë bujqit”, tha Rikalo.