Riinvesti i Mustafës “privatizon” LDK-në e Rugovës

Pas lënies jashtë listës së LDK-së, ish-deputeti Shpejtim Bulliqi hodhi akuza të rënda ndaj lidershipit të LDK-së, duke thënë se “LDK-ja është në gjendje të rëndë, pasi atë e kontrollon Riinvesti dhe ELKOS-i, të cilët e kanë shndërruar këtë parti në biznes privat të individëve të caktuar”.

Lajme

26/05/2017 09:53

Kjo akuzë padyshim i drejtohej liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministrit në largim, Isa Mustafa, i cili është aksionar në Riinvest.

Bashkëpronarë me të është edhe deputeti tjetër i LDK-së, Muhamet Mustafa, Ymer Havolli (babai i shefit të kabinetit të Mustafës), si dhe Muhamet Sadiku.

Edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, ishte një ndër të punësuarit e parë të Riinvestit prej vitit 1999 si hulumtues e mandej si mësimdhënës.

Por, përveç tij, një numër i madh i kandidatëve për deputetë të LDK-së ishin pjesë e Riinvestit.

Ministri i Infrastrukturës në detyrë, Lutfi Zharku, si dhe Zëvendësministri i Jashtëm në detyrë, Valon Murtezaj, që renditet me numrin 20 në listën LDK-AKR-Alternativa, kanë qenë gjithashtu mësimdhënës në Riinvest.

Gjithashtu, edhe dy deputetët rebelë që janë ndër më të zëshmit e LDK-së, Vjosa Osmani dhe Arben Gashi, kanë qenë pjesë e Riinvestit.

Vjosa Osmani ka ligjëruar lëndën e të drejtës biznesore në Kolegjin Riinvest, ndërsa Gashi jo vetëm që ka dhënë mësim, por edhe ka qenë hulumtues aty. Po ashtu edhe këshilltari politik për ekonomi i kryeministrit në ikje, kandidati me numrin 101, Sokol Havolli, është profesor në këtë kolegj.

E njëjta vlen edhe për kandidatin e LDK-së, Besnik Krasniqi, i cili jep mësim prej vitesh në Riinvest.

Së fundmi, në LDK ka aderuar edhe vetë drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, i cili gjithashtu është kandidat për deputetë, ndërkohë që edhe ish-deputeti Bardhyl Meta ka qenë drejtor ekzekutiv i Kolegjit Riinvest.

Në anën tjetër, nga LDK-ja e vjetër shihet se edhe figura emblematike e LDK-së tradicionale, si Sabri Hamiti janë vendosur me renditje periferike për t’i lënë radhën para tyre të rinjve që vijnë nga Riinvest.