Ridizajnimi i marrëveshjes, i panevojshëm

Këshilltari i të parit të AAK-së, Avni Arifi thotë se nuk do të ndodhë ridizajnimi i marrëveshjes në mes të LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s.

Lajme

04/11/2014 08:30

Sipas kësaj marrëveshje, posti i Kryeministrit i takon Ramush Haradinajt, por në media kanë dalë disa zyrtarë të LDK-së, të cilët po kërkojnë që kryetari i partisë së tyre, Isa Mustafa, të ketë këtë post.

Por, në një intervistë dhënë për gazetën Tribuna, Arifi konsideron se problemi nuk qëndron tek ridizajnimi i marrëveshjes.

Ai madje thotë se nëse Ramush Haradinaj bëhet kryeministër, do të jetë një korrigjim i padrejtësisë që iu bë atij në vitin 2005, kur ai pas 100 ditë qeverisjeje, u detyrua që të jap dorëheqje dhe të shkonte në Tribunalin e Hagës.

“Shtrohet pyetja a është problemi te dizajnimi i saj? Unë konsideroj se jo. Kjo marrëveshje ka ardhur si shprehje e bindjes se për Kosovën do të ishte fatale qeveria Thaçi 3. Mbi këtë bazë është ndërtuar marrëveshja e jo në bazë të fuqisë politike”.

“Është vazhdim i një të drejte të mohuar padrejtësisht në vitin 2005. Kemi pas një Qeveri të suksesshme për atë pak kohë dhe po besoj se ajo padrejtësi po korrigjohet”.

Arifi thotë se ngërçi politik nuk është krijuar për shkak se partitë e Bllokut nuk po lëshojnë pe në postin e kryeparlamentarit.

Përkundrazi, ai e lë fajtor PDK-në, e cila sipas tij, po insiston të ketë votat e partive, të cilat nuk po duan të bashkëpunojnë me të.

“Një e vërtetë është. PDK ka marrë të drejtën nga Gjykata Kushtetuese që të dominoj kryetarin. Përderisa nuk e thërret senacën ajo është fajtore dhe ajo duhet të gjejë zgjidhjen ose të heqë dorë prej saj. Me zor vota as nuk lupet as nuk jepet. Insistimi i PDK-së për votë me cdo kusht nga partitë që s’duan të jenë në partneritet me të, është i padinjitetshëm”, ka thënë Arifi për Tribuna.