Ribery, ndihmoje Bayernin

Oliver Kahn e ka këshilluar Franck Riberyn ta ndihmojë më shumë Bayernin, para se të mendojë për Topin e Artë, të cilin nuk arriti ta fitojë. Ish portieri gjerman thotë se suksesi ekipor duhet vënë para atij individual.

Sport

25/04/2014 12:27

Ish portieri i Bayern Munich, Oliver Kahn ka kërkuar nga Franck Ribery të lëvizë nga zhgënjimi që e pati pasi nuk e fitoi Topin e Artë.

Legjenda e futbollit gjerman mendon se mesfushori francez duhet të fokusohet ta ndihmojë ekipin bavarez që të fitojë trofe edhe këtë sezon.

Përfaqësuesi francez ka dështuar ta gjente formën më të mirë, që kur Cristiano Ronaldo e mposhti në garën për trofeun prestigjioz individual në janar.

Ish futbollisti i Olympique Marseilles u zëvendësua pas një ore, në humbjen 1:0 nga Real Madridi të mërkurën mbrëma, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas paraqitjes së zbehtë.

“Kishte vite që kur e priste Topin e Artë. Sigurisht, është e vështirë për një lojtar kualitativ si ai, të mos e fitojë Topin e Artë, pasi i fitoi tre trofe, por duhet të lëvizni dhe të luani me të njëjtin ritëm”, ka shkruar Kahn në kolumnen e tij për tabloidin gjerman, Bild.

“Topi i Artë është një mendim individual. Për këtë mund të mendojë Ribery, por duhet menduar edhe për ekipin, se çka mund të arrijë ai”.

“Bayerni mund të bëjë diçka që askush nuk ka bërë më parë: t’i përsërisë sukseset e sezonit të kaluar. Ju duhet ta vendosni interesin e klubit para atij personal, por për Ribery kjo nuk është e lehtë”.

“Atmosfera është mjaft e rëndësishme për të. Duhet komunikuar shumë me të dhe t’i jepet kujdes. Është gjithmonë e vështirë ta thuash se çka po ndodh brenda tij, por ai është një lojtar që mund ta bëjë diferencën”, përfundoi Kahn.

Ribery ka realizuar 15 gola nga 36 paraqitje në të gjithë kompeticionet me Bayernin këtë sezon.