Ribery, i uritur dhe i brengosur

Franck Ribery është i uritur për të luajtur në Botëror, por njëkohësisht i brengosur se mund ta humb atë, pas lëndimit të fundit që e pësoi në shpinë, 10 ditë para fillimit të kompeticionit që mbahet në Brazil.

Sport

02/06/2014 12:40

Ylli i Francës, Franck Ribery është i uritur dhe i brengosur për mundësitë e tij për të luajtur në Botërorin e Brazilit, tregon bashkëlojtari i tij, Olivier Giroud.

Ky i fundit i zhvilloi 90 minuta në barazimin 1:1 të Francës ndaj Paraguait në Nice, ku të dyja skuadrat i shënuan golat në tetë minutat e fundit.

Mirëpo, mesfushori i Bayern Munichut nuk luajti, për shkak të dhimbjeve të cilat po i ndien në shpinë.

“Ai ka filluar të bëhet i uritur. Gjithashtu, është i brengosur për situatën e tij aktuale. Ne duhet ta ndihmojmë që të jetë i qetë. Shpresojmë ta kemi në Botëror”, u shpreh sulmuesi i Arsenalit.

Franca do të luajë me Hondurasin në fillim të kampanjës së saj në Botëror, më 15 qershor, pra pas dy javësh.

Gjatë javës së kaluar, presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet kishte thënë se nuk ka vend për t’u brengosur, duke besuar se Ribery do të jetë pjesë e Botërorit.