Ribery frikësohet për Bayernin

Franck Ribery frikësohet se bashkëlojtarët e tij nga Bayern Munich, e sidomos ata që janë pjesë të ekipit të Gjermanisë mund të shndërrohen në cak të ndërhyrjeve të ashpra të kundërshtarëve.

Sport

04/08/2014 18:54

Mesfushori i Bayern Munichut, Franck Ribery është i brengosur se ndonjë nga bashkëlojtarët e tij mund të pësojnë lëndime serioze nga ndërhyrjet e ashpra të kundërshtarëve.

Gjiganti bavarez ka shijuar sukses të jashtëzakonshëm në periudhën e fundit, ndërsa pjesë e skuadrës janë një numër i madh i reprezentuesve të Gjermanisë që triumfuan në Kampionatin botëror.

Reprezentuesi francez beson se suksesi i Bayernit i ka shndërruar futbollistët në caqe të kundërshtarëve dhe u bëri thirrje gjyqtarëve që t’i mbrojnë ata.

“Gjithmonë ekziston ndonjë kundërshtar që ka për qëllim të tregohet më i ashpër se sa që duhet sepse kanë dëshirë të madhe për të mposhtur kampionin”, deklaroi Ribery për “TZ”.

“Por, tani ata do të mundohen të dëshmohen kundër kampionëve të botës. Askush nuk thotë diçka rreth shëndetit. Gjyqtarët duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të përkujdesen që kufiri të mos tejkalohet. Ne duhet të jemi të mbrojtur si futbollist”, përfundoi ai.