Ribashkimi korean pas 60 vjetësh

Familje koreanojugore dhe veriore janë ritakuar pas shumë dekadash. Njerëz nga Korea e Jugut u lejuan që të shkonin të takonin familjarët e tyre në Korenë e Veriut. Një mrekulli e vërtetë. Por, u lejuan të takohen me kusht të mos flisnin për politikë.

Bota

21/02/2014 22:33

Familjet që janë ndarë nga lufta e viteve 1950-1953 janë takuar më në fund. Të enjten 82 të moshuar nga Korea e Jugut, të shoqëruar nga 58 anëtarë të tjerë të familjes janë nisur me autobusë për të takuar të afërmit e tyre në Korenë e Veriut.

Kjo është hera e parë pas shumë dekadash që Korea e Veriut lejon që familjet e dy Koreve – të ndarë – të takohen. Ky ribashkim erdhi si pasojë e marrëveshjes në mes Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, që janë zotuar se në ditët në vijim do të përmirësojnë marrëdhëniet në mes vete.

Lee Du – young i cili është rreth 70 vjeç u takua pas shumë kohe me vëllain e tij, i cili jeton në Korenë e Veriut.

“Është shumë e vështirë që njerëzit ta kuptojnë se si ndihesh kur je i detyruar që të ndahesh nga familjarët e tu për një kohë kaq të gjatë”.

“Por kjo vërtetë është një mrekulli. Unë jam shumë i gëzuar. Ajo çka më mungonte më shumë në jetën tim ishte vëllai im, dhe tash unë pata rastin që ta takojë sërish. Nuk kam asnjë pishman pas kësaj, edhe nëse vdes nesër, mua nuk do të mbetet asnjë marak”.

Ai tha se i kishte sjellë vëllait të tij çokollata pasi që kishte dëgjuar që në Korenë e Veriut kushtet janë të mjerueshme.

Në takimin e zhvilluar në Korenë e Veriut, morën pjesë rreth 180 Korean të Veriut. I vetmi kusht që ishte kërkuar nga familjarët që erdhën nga Korea e Jugut, ishte që të mos flisnin për politikë.

E në anën tjetër, jug-koreanët kishin sjellë për familjarët e tyre dhurata të ndryshme, duke përfshirë këtu rroba, ushqime, por mbi të gjitha ata kishin ardhur që të çmalleshin me më të dashurit të tyre, që kishin dekada pa i parë.