Rezultati i zgjedhjeve parlamentare ndikon edhe në ato lokale

Zgjedhjet e parakohshme nacionale kanë ndryshuar gjeografinë politike, duke u shembur shumë bastione, e duke ndërruar fuqinë e partive politike nëpër komuna. Kjo hartë e re, do të vihet në test më 22 tetor kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Njohësit e zhvillimeve politike, thonë se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme, do të ndikojë në zgjedhjet lokale. Partitë ndërkaq synojnë rritje.

Lajme

05/07/2017 12:15

Pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 11 qershorit, secila prej partive politike, beson se do ta ndryshojë rezultatin në zgjedhjet lokale. Secila beson në rritjen e saj. Madje, Pal Lekaj i AAK-së, thotë se kjo parti synon t’i rikthejë komunat e humbura në vitin 2014. Por, nuk e di nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma do të vazhdojë bashkëpunimin edhe në zgjedhjet lokale.

“Thënë të vërtetën nuk është diskutuar ende ky variant dhe në ditët në vijim do të bisedojmë, por ajo që vlen të theksohet është që AAK-ja është e gatshme të hyjë në këto zgjedhje dhe t’i rikthejë komunat që i ka humbur para katër vjetësh dhe kemi synim edhe komunat e tjera”, tha Lekaj për Radio Kosovën.

Në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, ishte Vetëvendosje ajo që shënoi ngritjen më të madhe, duke dalë subjekti i parë në dhjetë komuna. Shqipe Pantina nga ky subjekt thotë se zgjedhjet e përgjithshme kanë dhënë mesazhin se qytetarët duan ndryshim.

“Kemi shënuar dyfishim të votave dhe tashmë ne jemi komodë në disa komuna ku mendojmë se do të qeverisim në zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu mendoj se fryma e ndryshimit, e cila u tregua në zgjedhjet nacionale do të bartet, bile do të rritet në favor të zgjedhjeve lokale”, tha Pantina për Radio Kosovën.

Njohësit e zhvillimeve politike presin që rezultati i zgjedhjeve nacionale të ketë ndikim të rezultatit të zgjedhjeve lokale. Analisti Belul Beqaj thotë se është hapur mundësia për votën e ndërrimit, por që kjo është në fazën fillestare.

“Kjo votë e ndërrimit është e brishtë, mund të rrezikohet nëse në zgjedhjet lokale nuk do të thellohet politika e atyre që e ndërrojnë qeverisjen. Në këtë kuptim gjithsesi mendoj se do të ketë një ‘domino-efekt’ në favor të votës së ndërrimit”, tha Beqaj për Radio Kosovën.

Zgjedhjet e parakohshme nacionale e kanë ndryshuar gjeografinë politike të Kosovës. Në këtë mënyrë, Vetëvendosje që qeverisë në Prishtinë, në këto zgjedhje ka dalë e para edhe në nëntë komuna të tjera, në të cilat aktualisht qeverisin PDK e LDK. Këto dy subjekte del të jenë ndëshkuar më së shumti nga qytetarët në zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa në zgjedhjet lokale që mbahen më 22 tetor, presin ta rikthejnë elektoratin e humbur.