Rezultatet vijnë shpejt

Nëse gjithçka shkon sipas planit, KQZ premton shpalljen rezultateve për partitë politike dhe për Kryetar të Komunave dy deri tri orë pas përfundimit të votimit. Rezultatet për Asambletë Komunale do të shpallen më vonë.

Lajme

02/11/2013 23:02

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve premton shpalljen e shpejtë të rezultateve zgjedhore për partitë politike dhe për Kandidatët për Kryetarë të Komunave.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, në një intervistë për lajmi.net, thotë se nëse procesi shkon sipas planit të përgatitur, atëherë rezultatet do të jenë gati dy deri tri orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Kjo i bie që nëse vendvotimet mbyllen në orën 19:00, atëherë KQZ do t’i shpallë rezultatet rreth orës 21:00-22:00 të ditës së diel.

“Besoj se nëse gjithçka shkon në rregull dhe në bazë të planit të hartuar paraprakisht, rezultatet për partitë politike dhe për Kryetarë të Komunave do t’i kemi, ashtu siç kemi thënë, për 2-3 orë”.

“Për Asambletë Komunale rezultatet do t’i kemi pak më vonë, sepse ka më shumë kandidatë”.

Daka thotë se KQZ, si mekanizëm që bart përgjegjësinë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për procesin zgjedhor që do të zhvillohet këtë të diel, në tërë territorin e Kosovës.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Sa na përket neve, çdo gjë do të jetë në rregull. Ndërsa, pjesa tjetër u mbetët akterëve tjerë që do të marrin pjesë në zgjedhje, si votuesve, partive politike dhe komisionarëve të tyre. Pastaj, janë edhe përgjegjësit për sigurinë në zgjedhje”.

Valdete Daka nuk pret të ketë presion gjatë ditës së zgjedhjeve. Ajo mohon që dikush të ketë ushtruar presion gjatë kohës sa ajo është në krye të KQZ’së.

“Nuk pres presion politik dhe nuk e kuptoj se në çfarë kuptimi dhe në çfarë forme do të mund të ishte ai”.

“Unë asnjëherë nuk kam pasur një presion të tillë para shpalljes së rezultateve”.

Daka pret që më 3 nëntor të ketë një proces të qetë, demokratik dhe të ndershëm zgjedhor, për ç’gjë thotë se janë bërë përgatitjet e duhura.

“Kësaj radhe, për dallim nga herët e kaluara, të gjitha institucionet janë të përgatitura dhe i kanë kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme kësaj çështjeje. Të gjithë kanë treguar për përkushtimin që kanë”.

Të drejtë vote në këtë zgjedhje, sipas Listës Përfundimtare të Votuesve,  kanë 1. 779. 357, me një rritje prej 191.103 apo 11.72 për qind më shumë në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i Qendrave të Votimit është 798, ku kësaj radhe do të kemi 52 qendra të reja të votimit, për dallim nga zgjedhjet e kaluara ndërsa i vendvotimeve do të jetë 2366, me një rritje prej 86 vendvotimeve më shumë.

Numri i votuesve jashtë Kosovës, ndërkaq, është 8 383, që në krahasim me zgjedhjet e kaluara janë 6743 votues më shumë, të cilët  janë regjistruar për të votuar përmes postës.