Rezultatet për asamble komunale në shtatë komunat kryesore

Komisioni Qendror Zgjedhor vazhdimisht po publikon rezultatet e fundit në ueb faqen e saj për zgjedhjet e zhvilluara dje.

Lajme

23/10/2017 23:40

Tashmë për kryetarë thuajse është e qartë se cilat komuna do të shkojnë në balotazh dhe ndërmjet cilave parti.

Por KQZ-ja vazhdimisht po publikon edhe rezultatet për asamble komunale.

Në qytetin e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje për asamble ka marrë 32.81%, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës 28.54%. Pra dallimi është edhe më i vogël se në garën për kryetar, ndërmjet Abrashit dhe Shpend Ahmetit, raporton lajmi.net

Në Prizren, Partia Demokratike e Kosovës prinë bindshëm edhe në garën për asamble. Kjo parti ka marrë 31.55% të votave, duke lënë prapa VV-në me 16.52%. Kurse LDK-ja e cila në Prizren nuk do të jetë as në balotazh, për asamble ka arritur të marrë 15.45% të votave.

PDK kryeson edhe në asamblenë e Ferizajt. Kjo parti ka arritur të merr mbi 30% të votave, duke lënë pas vetes LDK-në me 27.64% të votave.

Peja do të jetë një nga qendrat e mëdha të Kosovës e cila nuk do të shkojë në balotazh, pasi Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka arritur mbi 50 për qind të votave.

Në këtë komunë LDK-ja ka arritur të marrë 37.54% të votave për asamble, duke lënë prapa AAK-në me 26.23%.

Edhe në Gjilan LDK-ja do ta ketë numrin më të madh të asambleistëve.

33.38% të votave i ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, 19.90% Lëvizja Vetëvendosje, kurse 17.72% PDK-ja.

29.38% të votave në asamblenë komunale i ka siguruar partia e Kadri Veselit në Mitrovicë.

Në këtë qytet ku do të ketë balotazh ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, LDK-ja do të jetë e dyta me asamble pasi ka marrë 20.07% të votave.

Kurse AKR ka marrë 17.25% të votave.

Në Gjakovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 24.79% të votave për asamble, kurse Alternativa e Kusari-Lilës ka 16.76% të votave.

Pra në disa komuna, përqindjet e partive dallojnë kur bëhet fjalë për kryetar të komunave dhe për asamble. /Lajmi.net/