Rezoluta e LDK-së për zgjedhje të parakohshme, PSD pa qëndrime

40 deputetët e Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosjes, dje kanë propozuar një Rezolutë me të cilën kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Lajme

05/12/2018 16:52

Në debatin e mbrëmshëm parlamentar i cili nisi në orën 20:00, pati akuza e kundërakuza rreth asaj se kush ishte fajtor që vendet evropiane nuk i hoqën vizat për qytetarët e Kosovës.

Por që ende nuk dihet nëse të gjitha partitë opozitare do ta votojnë këtë rezolutë, pasi Partia Social Demokrate ende nuk ka një qëndrim për këtë çështje.

Në një përgjigje për lajmi.net nga PSD kanë thënë se ende nuk kanë diskutuar për këtë rezolutë.

“Nesër në mbledhje të grupit parlamentar diskutohet kjo pikë”, thuhet në përgjigjen e PSD-së.

Rezoluta e opozitës pritet të votohet nesër para fillimit të seancës së rregullt.

Tri pikat e Rezolutës:

  1. Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
  2. Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.
  3. Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë. /Lajmi.net/