Rexhepi: Vetëvendosje të mos organizojë protesta të dhunshme

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje se nëse ajo organizon protesta të dhunshme për të rrëzuar nga pushtetit Hashim Thaçin, Policia do të ndërhyjë.

Lajme

10/11/2014 21:12

Rexhepi, duke folur në emisionin Puls të KTV-së, ka thënë se Vetëvendosje kur e ka parë që planet e koalicionit VLAN nuk po ecin ashtu siç i kanë menduar, për të formuar institucionet e vendit, po luan tashmë me kartën e protestave.

“Vetëvendosje ka menduar që ta luaj lojën edhe me koalicionin LAN dhe të arrijnë shumë më tepër se sa e kanë përqindjen e votave. Kur e kanë parë që nnuk munden, ataparalajmërojnë se do e rrëzojnë Thaçin me protestë”.

“Unë dua ti paralajmëroj se protestat lejohen, por protestat mund të eskalohen me dhunë dhe në momentin që eksalon në dhunë policia e ka për obligim që të veprojë për të ruajtur qetësinë publike dhe rendin kushtetues”.

“Ata persona pastaj do të arrestohen dhe do të ballafaqohen në drejtësi. Protesta të qeta sa të duash por jo të dhunshme”, ka thënë Rexhepi për KTV.

Ministri Rexhepi gjithashtu ka komentuar edhe deklaratën eksplicite të Ambasadores Amerikane, Tracey Ann Jacobson, ka thënë se një deklaratë të tillë e ka merituar e gjithë klasa politike.

“Plotësisht pajtohem edhe me deklaratën tjetër të Ambasadores Amerikane se e kemi piiiip punën të gjithë dhe e kemi merituar edhe këtë. Haptas po e them”, deklaroi Rexhepi, duke shtuar se mbështet edhe deklaratën e Jacobson kur tha se “politikanët e Kosovës e kanë traditë korrupsionin”.