Rexhepi: Parku i paqes dhe “Car Llazari” zgjidhen me bisedime

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Bajram Rexhepi ka deklaruar se çështja e parkut të Paqes, por edhe ndërtimi i sheshit “Car Llazari” duhet të zgjidhen përmes kanaleve politike.

Lajme

09/07/2014 20:57

Gjatë një prononcimi për RTK, Rexhepi ka thënë se Policia e Kosovës akoma nuk ka marrë urdhër për të hequr barrikadën mbi lumin Ibër, sepse, sipas tij “nuk ka pasur arsye” për një gjë të tillë.

“Policia nuk e ruan bllokadën, por policia është për të parandaluar ndonjë incident ndëretnik. Kjo nuk është punë e policisë, por kjo është punë e politikës që të mirren vesh dhe t’i largojnë”.

“Policia nuk është ajo që e ka përgjegjësinë që të heqë atë, ajo kur i merr urdhrat vepron, mirëpo ende nuk ka marrë urdhra, sepse nuk ka pasur arsye, kjo gjë duhet të kryhet me kanale të tjera”.

Duke folur për fillimin e ndërtimit të sheshit “Car Llazari”, Rexhepi ka pranuar se nuk ka shumë informacione për këtë çështje. Gjithsesi, ai e ka parë si hap pozitiv heqjen e një pjese të konstruksionit të betonit në Parkun e Paqes mbi lumin Ibër.

“Unë nuk e di planin e detajuar, por bazuar në informacionet që ata i plasojnë, unë e di që disa këshilltarë të komunitetit serb kanë marrë një vendin në një seancë të Kuvendit Komunal. Detajet nuk i dimë, por disa inspektorë të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shkuar të inspektojnë. Deri më tani nuk kemi të dhëna se po punohet në atë drejtim. Natyrisht se ata do të sugjerojnë se çdo gjë, përveç vendimit komunal, duhet të jetë edhe në harmoni me planin rregullativ që ende nuk e ka Mitrovica. Unë shpresoj se do të jenë të përgjegjshëm dhe do të veprojnë në atë mënyrë”.

“Lajmi i fundit është tash se ata e kanë hequr atë pjesë të konstruksionit të betonit në parkun e famshëm të urës dhe ky është një hap i mirë, por për format dhe modalitet se si do të duket ai park do të bisedojmë të dy palët”, ka thënë Rexhepi për RTK.