Rexhep Kadriu tregon planin për zhvillimin e Gjilanit me gjashtë prioritete

Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka nisur dje, dhe kandidatët kanë filluar të shpalosin programet e tyre në mënyrë që t’i bindin qytetarët se platforma e tyre meriton të qeverisë me qytetet për 4 vitet e ardhshme.

Lajme

23/09/2017 12:02

Garë interesante do të jetë edhe në qytetin e Gjilanit, ku si kandidat për kryetar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka caktuar Rexhep Kadriun.

Kadriu në një intervistë me shkrim për lajmi.net ka treguar prioritetet dhe pikat kryesore të programit, të cilave do tu përmbahet nëse arrin të bëhet kryetar i komunës së Gjilanit.

Kandidati i AAK-së është shprehur i bindur se do të jetë në balotazh, dhe do të qeveris me komunën lider i së cilës aktualisht është Lutfi Haziri.

Lajmi.net: Së pari, cili është qëndrimi juaj për qeverisjen e kaluar në Gjilan, sa ka arritur Lutfi Haziri t’i mbajë premtimet dhe si e vlerësoni ju gjendjen në qytet?

Rexhep Kadriu: Gjendjen e rëndë të trashëguar nga PDK-ja në aspektin financiar, për këtë çështje kjo qeverisje e përbërë nga LDK-AAK rreth 1 vite e gjysme është përballur me probleme, ku gjatë kësaj kohe është punuar jashtëzakonisht pak. Objektivat programore te kësaj qeverisje janë përmbushur në një nivel të kënaqshëm

Lajmi.net: Cili është vizioni juaj për qytetin e Gjilanit në 4 vjetët si kryetar i mundshëm?

Rexhep Kadriu: Vizioni im si kandidat për Kryetar i komunës Gjilanit për 4 vite te ardhshme është për një “Rilindje te qytetit” për një ECO Qytet, dhe për një zhvillim te hovshëm ekonomik

Lajmi.net: Në cilat pika do të ketë prioritet programi juaj nëse udhëhiqni me komunën në katër vitet e ardhshme?

Rexhep Kadriu: Prioritetet e mia si kandidat i Kryetarit të komunës, mbështeten në 6 shtylla kryesore:

1.Infrastrukturën rrugore

a)Përfundimi i të gjitha rrugëve në qytet dhe fshatra

b)Projektimi i Unazës së jashtme të qytetit dhe fillimi i ndërtimit në vitin 2018

c)Hapja e korridoreve brenda Qytetit

d)Ndërtimi i trotuareve në qytet dhe fshatra duke respektuar ligjin për persona me nevoja të veçanta

2.Rregullimi i infrastrukturës nëntokësore, ndërtimi i Kanalizimit Fekale dhe Atmosferik si dhe aplikimi në institucione ndërkombëtare financiare për ndërtimin e fabrikës per trajtim të ujërave të zeza me kosto 30 milionë euro.

3.Sigurimi i Ujit të pijshëm për qytetaret dhe përfundimi dhe funksionalizimi i rrjeteve te ujësjellësit për të gjitha fshatrat

4.Ambienti (ECO-KOMUNA)

5.Parku industrial ku parashihet gjenerim të te vendeve të reja të punës për 5 vite 3000 të punësuar

6.Rini,kulturë dhe sport

Lajmi.net: Kë e shihni si kundërkandidatin më të fuqishëm në garën për Gjilan?

Rexhep Kadriu: Asnjëri nga kundër-kandidatët nuk është më i përgatitur profesionalisht dhe nuk meritojnë te qeverisin me Gjilanin, sepse këta kundërkandidatë as nuk jetojnë në Gjilan.

Lajmi.net: Arsimi është është problem pothuajse kryesor në Kosovë, e sidomos politizimi. Cili është plani juaj konkret për depolitizim?

Rexhep Kadriu: Plani im është që në të gjitha konkurset për pranimin e mësimdhënësve te respektohen kriteret në bazë të konkursit, te përfshihen ne përzgjedhjen e kandidateve edhe Shoqëria Civile dhe te gjitha proceset të jenë transparente.

Lajmi.net: Po ashtu shëndetësia është problem në të gjitha komuna. Çfarë plani keni në këtë aspekt?

Rexhep Kadriu: Shëndetësia në nivelin komunal duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë qytetareve dhe tu dilet në ndihmë njerëzve me asistence Sociale, dhe të gjitha ambulantat të furnizohen me listën esenciale të barnave.

Lajmi.net: Nëse nuk arrini në balotazh, a do ta mbështetni ndonjërin prej kandidatëve?

Rexhep Kadriu: Unë do te jem ne balotazh dhe do te udhëheqë me Gjilanin ne 4 vitet e ardhshme