Rexhep Hotit “i del gjumi kah fundi”, kërkon komision të ri për demarkacionin

“Ai (Isa Mustafa) do të duhej pa hezitim ta lironte komisionin aktual dhe në vend të tij, në pajtim me procedurat ligjore, ta formonte një komision tjetër, të cilin do ta drejtonte opozita me ekspertë amerikanë”, shkruan Hoti në një koment të gjatë për çështjen e Demarkacionit dhe problematiken e krijuar rreth tij. =

Lajme

12/08/2016 22:37

 

Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka propozuar që për t’u zgjidhur çështja e Demarkacionit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duhet ta lirojë komisionin e tanishëm shtetëror dhe ta formojë një tjetër.

Ky komision, sipas Hotit, do të duhej të ishte i përbërë nga amerikanët e të udhëhiqej nga Opozita.

“Ai (Isa Mustafa) do të duhej pa hezitim ta lironte komisionin aktual dhe në vend të tij, në pajtim me procedurat ligjore, ta formonte një komision tjetër, të cilin do ta drejtonte opozita me ekspertë amerikanë”, shkruan Hoti në një koment të gjatë për çështjen e Demarkacionit dhe problematiken e krijuar rreth tij.

Hoti e ka kritikuar edhe gjuhën e përdoruar nga qeveritarët në raport me Opozitën kur kanë trajtuar çështjen e Demarkacionit.

“Banditizmi i komunikimit me opozitën prej disa këshilltarëve, disa zëvendësministrave, ministrave e ca të tjerëve deputetë, është mendësia e njerëzve sikur të ishin rritur jashtë qytetërimit të sotëm. Komunikimin që e ka ofrua Qeveria e Kosovës me opozitën është thjeshtë mendësi e zyrtarëve të lartë pa kulturë njerëzore e politike, është thjeshtë mendësia e njerëzve të paatdhe”.

Zëvendësministri ka një porosi edhe për ligjvënësit të cilët me një shtator do ta kenë përpara për votim Ratifikimin e Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.

“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është më vetëm votë në Kuvendin e Kosovës. Ata politikanë që nuk e shohin demarkacionin më shumë si çështje toke sesa si një shënim kufiri mendoj se gabojnë shumë. Qoftë kjo e vërtetë e ngritur edhe vetëm si perceptimit politik”, shkruan Hoti.