Revokohen licencat e kompanisë së dyshuar për falsifikim të lejeve për armë

Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për revokimin e të gjitha licencave dhe certifikatave të kompanisë së armëve “Fazani” pas një afere të zbuluar javën e kaluar rreth lejeve për armë.

Lajme

21/02/2018 17:19

KALLXO.com javën e kaluar raportoi se pronari i Kompanisë së Armëve “Fazani”, Hashim Rexhepi, dhe djali i tij, Atdhetar Rexhepi, janë arrestuar pasi dyshohen se kanë dhënë leje të falsifikuara për mbajtje të armëve.

Dosja e cila ka rezultuar pas një hetimi disamujor pretendon se në të paktën pesë raste, persona të lidhur me kompaninë e tregtisë dhe trajnimit për armë zjarri kanë arritur t’i pajisin me leje të falsifikuara për armë qytetarët.

Me anë të një përgjigje drejtuar KALLXO.com, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se licencat e kompanisë janë revokuar.

“Pas pranimit të informacionit nga organet kompetente në lidhje me rastin në fjalë, Komisioni shqyrtues për armë/MPB ka marrë vendim për revokimin e të gjitha licencave dhe certifikatave të kësaj kompanie deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Sipas MPB-së, armët dhe municionet të cilat i posedon kompania e armëve “Fazani” do të sekuestrohen.

“Armët dhe municionet të cilat posedon kjo kompani do të sekuestrohen sipas vendimit të Komisionit shqyrtues për armë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

E pyetur se çfarë do të ndodh me lejet e falsifikuara, MPB-ja tha se kjo çështje i takon prokurorisë.

“Lejet e falsifikuara të cilat janë gjetur gjatë kontrolleve janë pronë e prokurorisë dhe ne nuk mund të ndërmarrim asnjë veprim në lidhje me këto leje”, thuhet më tutje në përgjigjen e MPB-së.

KALLXO.com të dielën në mbrëmje shkroi për një dosje të Prokurorisë së Prishtinës, ku kjo e fundit pati pretenduar se ka siguruar prova se sistemi i dhënies së lejeve të armëve ka arritur të keqpërdoret, duke u ofruar personave që nuk i plotësojnë kriteret për leje për armë zjarri.

KALLXO.com po ashtu ka siguruar edhe vendimin e gjykatës ku babë e bir të dy pronar të kompanisë “Fazani”, janë dërguar në paraburgim për 30 ditë.

Ndërsa djali i pronarit të kompanisë, Atdhetar Rexhepi, ka pretenduar se nuk kishte gisht në këtë rast duke thënë se lejet për armë i lëshon Ministria e jo kompanitë e trajnimit  dhe tregtisë së armëve.

Mbrojtësi i Hashim Rexhepit, avokati Arber Fazliu, ka konfirmuar për KALLXO.com se klienti i tij është në paraburgim prej 30 ditësh.

“Prokuroria nuk ka arritur ta provojë faktin dhe prova në bazë të mjaftueshme për caktimin e masës së paraburgimit andaj konsideroj se nuk ka arsye që ndaj të mbrojturit tim të caktohet masa e paraburgimit pasi që i mbrojturi im është i gatshëm që të bashkëpunojë me organet e ndjekjes“, ka thënë Fazliu.