Revista Leka, shtator-tetor 1944: Me shka do të merret nji vajzë moderne? – Lajmi.net
Revista Leka, shtator-tetor 1944: Me shka do të merret nji vajzë moderne?
Autori: Lajmi.net ArgëtimBibliotekaEntertainmentFun 3:21, 6 March 2017
Portreti i një zonjushe moderne të fillimviteve 1940, mund të duket shumë larg portretizimit të sotëm mbi modernitetin. Por, është e sigurt se vlerat morale që përçon në thelb ky koncept janë të pakohë.

“Me shka do të merret nji vajzë moderne?”, është shkrimi i botuar në revistën Leka në numrin e muajve shtator-tetor 1944. Gjithçka aty nis me edukimin gjatë viteve foshnjore në një familje, ku të gjithë shembujt duhet të jenë pozitivë, edukues e motivues, me një varg kujdesjesh prej zonjushe që mban shtëpinë dhe kujdeset për familjen, që ndjek jetën shoqërore, lexon letërsi e praktikon artet, por mbi gjithçka kujdeset për nderin e emrit dhe personalitetin e saj.

Në periudha kaotike vlerash, si këto që po kalojmë, lexime të tilla të fusin në oaze drite e frymëzimi.

Shkrimin mund ta lexoni më poshtë:

Me shka do të merret nji vajzë moderne?

(Revista Leka, shtator-tetor 1944)

Mirë keni bâ qi na keni sjellë ketë pvetje. Âsht nji themë qi i a vyen mundi të shkruhet gjanë e gjatë mbi ‘tê, për të ndritë e drejtue mendimet e parimet e shum të rijvet, të cilët tue mos pasë përvojen e jetës, vehen padashtas n’udhë të gabueme.

Âsht nji çashtje temelore shoqnore e cila mund t’api fryte të mira kur të kuptojet për së mbari, e po u keqkuptue atbotë mjerim për shoqni për fryte të damshme qi sjellë, sikur mjerisht po i shohim.

Jemi përballë t’elementit të parë të themelimit të familes. Pa famile s’ka shoqni e pa shoqni s’ka komb.

Mos t’a kuptojmë vajzën moderne nji gja pikue nga qilla ase jashtë bote s’anë. Âsht nji krijesë e kësaj bote dhe e lindun nga prindja nji farëfisi me ne. Dallimi âsht në mirërritje e në keqrritje.edhe për mirërritje mos të kuptojmë nji gja jashtë këso bote, âsht e kësaj bote dhe e ditve t’ona. Fjala popullore thotë: “Fëmin e falë Zoti dhe prindja e rrisin si t’u a do zemra”.

Qe për shembull Zojushën qi e keni në lagje. S’po âsht nevoja t’i a përmendim emnin mbasi e njifni ma së miri. Nuk âsht e konte Kacikut as e Beg Allajbegut; âsht e bija e njij qytetari të ndershem, e njij tregtari të zakonshëm.

Lindë e rritë si gjith shoqet e këtij qyteti. Fati i sajë me pasë prindë të kuptueshëm të cilët tue pasë qenë rritë kohen e xhahil-llekut, kishin pasë atë sasi urtije qi me kuptue nga eksperjenca e tyne si me rritë fëmitë qi u fali Zoti. Ata qyshë në rijni të vet kishin pasë gjetë mesim e udhës s’emancipimit. Me atë drejtim hapen familen dhe Perendija ua bekoi martesen me djel e varza si pak kush. Drejtimi i parë për mirërrijtje, dashunija familjare. Me ketë shembull para syshë u rritë Zojusha në fjalë. So ka maturen Lyceale në dorë dhe âsht e gatshme për t’u shkrue n’universitet.

Me gjihkëta ajo shtëpinë e ka ma për zemër se çdo gja tjetër. Zojushë elegante, e pasqyron krejt elegancën e vet në rend e pastrim të shtëpisë, âsht krah i djathtë i nanës në të gjithë punët qi lypë shtëpija. E para e të gjithve zgjohet në nadje dhe kënaqa e sajë ma e madhe âsht kur prindja i lypin nd‘i sherbim.

U mbledh teshat dhe u a pastron vllazenve e motrave ma të vogjel, u ndimon në pregatitje të detyrve shkollore, i qorton kur rrëfejnë përtaci e humbin kohen nder gjana qi i largojnë nga përmbushja e detyravet.

T’u avitmen koha, i nisë për në shkollë. Me shembullen qi patën prei motre së madhe e cila përparandej i përcjellte në shkollë, sot ndjekin atë drejtim, nuk i sheh tue dredhë rrugë as tue u hutue në shka nuk u përket.

Me të qitë rasa për ndo ‘i vizitë n’atë shtëpi të kënaqet shpirti me pritje të përzemert qi Zojusha në fjalë të ban, me sjellje fisnike e me mënyrna fare qytetnije ultra moderne. Në bisedë e siper në raftë fjala për letërsi, të flet me nji kompetencë të çuditshme; ne folsh për mathematikë, kimi, histori o çdo degë shkencore, ajo të përgjegjë me proprietet të njij profesori; filozofin i a ka anda dhe âsht krejt vesh e gojë kur flitet për ‘tê. Edhe hartet e bukra e kënaqin e të len me gojë haptë kur flet për pikturë, skulturë, muzikë e arkitekturë. Edhe pse nuk ka qenë jashtë Shqipnije nder shtete të mëdhaja për të pa këto gjama harti, ajo i ka para syshë nepërmjet të librave qi lexon.

Të gjitha këto prirje e cilsina nuk i a pengojnë n’asnji mënyrë përmbushjen e detyrve fetare e shtëpijake. Me atë shkathsi e kompetencë qi flet për harte e dituni, i kryen dhe rrangtë e shtëpisë: Njato biskota o tjera ambelsina me të cilast të qirasin kur të shkojsh për vizitë n’atë shtëpi, janë ba nga duert e Zojushës moderne për të cilen po flasim. Aj rend e pastrim qi të bje në sy të hymen n’atë shtëpi të lagjës s’uej, âsht fryt i durve të shkathta të Zojushës në fjalë. Prindja, vllazent e motrat, teshma i a dinë tabijatin e instinktivisht setcilin send e vendosin aty ku ajo i a ka caktue vendin. E donë tepër e dashunija nuk i len t’i a prishin zemren. Mirpo edhe shoqet e lagjes qi shkojnë n’atë shtëpi për defrim, kanë marrë shembullem e shoqes dhe veprojnë në shtëpija të tyne po me ketë drejtim.

Për shka kam mujtë me kuptue nuk humb kohë në manicour o tjera zbukurime. E ka pajisë Perendija me nji natyrë aq të përkryeme sa qi s’ka nevojë për të tilla gjana. Nuk i tutet punës: Me atë shdervjellsi qi i bje pjanos ka për t’a pa në maxhe tue mrumë buken ase në gavatë tue la teshat bri nanës e sherbtores. Ne u lypët m’u pre, m’u qepë o m’u arnue nji petk, e ke Zojushen moderne të gatshme e të papritueshme. Ketë cilsi ka fillue tesh do kohë m’e shti në punë, me leje të të prindve, edhe për të vorfën.

Âsht shkrue në nji shoqni bamirsije ku disa orë në javë mblidhen Zojushat moderne dhe prejnë e qepin rrobe për të vobekt e qytetit. Këto Zojusha kanë krijue ketë shoqni dhe përpiqen me punë dore e me lmoshna qi mbledhin nga bamirsat me u ardhë në ndimë sidomos atyne të vorfenve të familjeve të rame poshtë.

Me nji kujdes të pashoq e me shpirt vetmohimi dalin krye jave nder familje të lagjeve të ndryshme të qytetit e mbledhin, posë lmoshve në të holla, edhe petka të vjetra të cilat me duer të tyne i permisojnë e i bajnë si reja dhe u a dajnë të vorfenvet qi ma fort kanë nevojë. Kanë dhe nji bibliotekë qarkulluese për ushqim shpirtnuer t’atyne qi nuk kanë mundsi të blejnë libra. Marrin përsiper dhe kujdesin qi me ruejtë nderin e shoqeve të vueme në rrezik.

Zojusha moderne e lagjës s’uej ka nji nderim dhe dashuni të posaçme për doke e zakone Shqiptare. Kur do me i dhanë ma randsi ndo ‘i kremtje ajo veshet me kostum kombtar. Nder gjellna qi bahen nga duert e saja ka kujdesin me permirsue ato qi ma fort u a kande pleqve e d. m. th. ato komtaret. Nuk e ndjeva as nji përbuzje të dokeve shqiptare e shum ma pak besimtare. Shka nuk i a kande dhe e kundershton nder shoqe e farëfils âsht dyfaqsimi e shtijimi. Hypokrizisë nuk do me i a pa ftyren, msheftsitë i dëbon si gjarpitë. Në nji rasë dikush i a pruni nji leter të mbyllun me porosi qi t’a hapte dhe t’i a epte përgjegjen tinës prindvet. Ajo i përgjegji pruesës: “Letra qi mos të leçiten ma parë nga prindët e mij, unë nuk pranoj. Urdhnoni e epnjani nanës o tatës s’im”.

Ka nji bibliotekë të vocerr dhe shkon gjithnji tue pasunue me libra të dobishëm si për kulturë të vetën si dhe për vllazën e motra. Âsht gjith kujdes me dhanë për të lexue libra të përshtatshëm moshës së tyne dhe në ketë ka nji urti pedagogu. Nuk priton me dhanë mësime shoqeve qi kanë mbetë mbrapa nder këndime, e në kaq e mbanë vedin n’ushtrim të mësimeve qi kreu dhe e hap horixontin e ditunisë edhe ma tepër.

Nder libra t’asajë bibliotekëzë âsht nji shum ma i përdorun se tjerët, âsht aj qi flet mbi ekonomi shtëpijake. Prei atij libri, nder sa mësime tjera, ka nxjerrë sidomos ketë: “Grueja para dite âsht e punve të shtëpisë, mbas dite e veprave të filantropisë”. Këtej e ka burimin aj zell pune qi dallohet në Zojushen e lagjës s’uej bashkë me shpirtin bamirës qi e shquen mbi tjerat.

Nuk ia ka anda nëpunsinë shtetnore. I paska dalë qefit qyshë atë vjetë qi kohen e pushimeve babai e pat shti si praktikuese në nji zyrë të njij mikut të tij.

Si e squet qi âsht, paska vrojtë se eprorët qi paskan nëpunse në zyre të tyne nuk paskan guxim me i u imponue varzave vullndetin e krymjes së detyrës, i lenkan me llafosë tepër e me punue pak, prandej rroga e fitueme pa kryemje detyre për ketë vajzë moderne e me ndërgjegje të shndoshtë, âsht haram.

Si gjith femnat, ka prirje për kangë e këcim. E këtu prindja i a kanë çue dishirin në vend. Pjano, vjolinë, mandolinë e fizarmonikë n’atë shtëpi përdoren çdo ditë, por sidomos nder ditë pushimi e kremtjeje. Nuk i pëlqejnë këcimet qi nuk janë kombtare. Ajo kur sheh zojusha tue këcye nder duer të njanit o të tjetrit qi nuk do të jet fati i sajë, ep shenje papëlqimi. Për ket arësye preferon këcimet kombtare ku këcimtarët rrokën vetëm doradoras. Ajo ka parimin e drejt: Do të jem e njanit, pse të kaloj nepër duer të shumvet? Ket parim filloi t’a bâjë të vetin në nji rasë fejese të njij djaloshi farëfisi të sajë me nji vajzë nenshtetsije së huej. Këjo në thjeshtsinë e vet i hoq vrejtjen djaloshit tue i a kujtue proverbin italjan “Donne e buoi dai paesi tuoi”. Mirëpo djaloshi i a pruni arësyen tjetër tue i dhanë: “Nuk paç si fejohem në vend; vetem friga e ndo ‘i fjale të nesrit se e fejuemja e eme ka kalue duer në duer nder balli e… më detyroi të baj ket hapë. Gjindja i kanë katër sy të hapun përpunë të hueja e dy për të vetat. Mue po m’a ka qefi t’i hapi katër për punë të mija e dy për të huejat”.

Dikuej qi pat guximin me i a plasë nder sy se nuk âsht Zojushë moderne ajo qi nuk ban ballo allafranka i u pergjejë: “Se moderniteti e qytetnimi u perqendruekan në ballo të perçudnuem nuk e kam dijtë, dij përkundra, çë nga filloret, se druni, trup i pajetë, kur ferkohet me nji tjetër xehet e ndezet gacë. Tashti, kur druni i pajetë ep gaca në perkim e siper shka mund të ndodhë me trup të gjallë e me gjak të nxetë? Do t’a shqyrtoj pak këthelltas nder libra e revista të hueja e sidomos franceze, per të dijtë a me të vertetë mvarret këtej moderniteti i njij vajze.

Rrugës nuk âsht e pîjtë, ka hecje të shdervjelltë sa me të lanë pa mend; âsht e shkathtë në kryemje të punve për të cilat del e s ka nevojë me qenë e përcjellun prei atyne qi nuk mbahen me ‘te. Nji ditë nji djaloç guximtar i u paraqitka tue i lypë leje t’a përcjelli deri ku të dishronte. Këjo mbassi e falnderonka i përgjegjka: “Jam lindë e rritë në ketë qytet, të gjitha rrugët i njoh ma së miri dhe punët e mija duhet t’i kryej vetë”.

Me sherbtorë, sherbtore e me çdo puntuer tjetër ka sjellje fisnike të papërshkrueshme; seicili nder ‘ta kur âsht në sherbim të sajë e kujton vedin si mis familje e jo si sherbtuer: nuk priton me i a njitë dorën e me u a letsue mundin; mbi të gjitha, ka fjalën e ambël e ngushlluese me të cilen i percjellë.

E këjo vajzë moderne, e mirë ndër të mira, e urtë ndër t’urta dhe e squet ndër të squeta, vetem me pasqyren e vet na e kurseu mundin qi me i pergjegjë pëvetjes qi na batë.

Po kje se dishroni me dijtë ndonji tjetër gja mbi vajzat moderne sigurisht këjo Zojushë s;ka për të pritue me na përgjegjë pëvetjeve të tjera” (sic.). /Shqiptarja/

Fjalët kyçe: reviste, vajze moderne

Fotolajm

Kim Jung, bëhet pjesë e batutave
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play iStunt 2
  • Play Berry Rush
  • Play Bubble Trouble
  • Play Turbo Racing 3