Reuters: Largimi i Prokurorit Schwendiman shtynë ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale

Gazeta prestigjoze “Reuters” shkruan sot se largimi i Prokurorit të Gjykatës Speciale, David Schwendiman, do të shtyejë punën e Gjykatës Speciale, si dhe ngritjen e aktakuzave të para nga kjo Gjykatë.

Lajme

16/02/2018 16:14

Siç citon “Reuters”,  ekspertët dhe njohësit e kësaj çështjeje kanë paralajmëruar se kjo punë deri tek gjetja e një prokurori të ri do të shtyhet deri në muajin e ardhshëm, ku në këtë mënyrë shtyhen edhe aktakuzat e para që do të ngriten për të dyshuarit për kryerjen e krimeve gjatë lufës.

Prokurori, David Schwendiman, ka bërë të ditur që do të largohet më 31 mars nga detyra e tij në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, dhe kjo do të ndodhë për shkak të mbarimit të kontratës së tij tre vjeçare nga Departamenti i Shtetit Amerikan, që nuk mund të renovohet.

“Kjo Gjykatë po merret me çështjet e krimeve të kryera  nga pjesëtarët e UÇK-së, gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998-2000, krime këto që nuk u zgjodhën nga Tribunali i krimeve i formuar nga OKB-ja për ish-Jugosllavinë. Ndërkaq nga kjo Gjykatë nuk janë ngritur ende aktakuzat e para”, thuhet në këtë artikull, përcjellë lajmi.net.

Aty citohen edhe deklaratat e Prokurorit Schwendiman i cili tha se “ky largim nuk do të thotë ndryshim në politikat apo përkushtimin e kësaj Gjykate mbi hetimin e krimeve të luftës.”

Por siç shkruhet aty, ekspertët thonë që do të jetë i vështirë zëvendësimi i Prokurorit Schwendiman, i cili udhëhoqi hetimet për kryerjen e krimeve nga shqiptarët.

“Kjo është definitivisht një pengesë”, citohen fjalët e njohësit të çështjeve të krimeve të luftës, Iva Vukusiq.

“Ajo çfarë u duhet tani institucioneve është stabilitiet, përderisa kjo Gjykatë po bëhet gati të ngrisë aktakuzat e para, dhe të cilat do të prekin shumë nga fytyrat politike në Kosovë”, thotë Vukusiq.

Në këtë artikull po ashtu thuhet se largimi i Prokurorit Schwendiman, vjen pas tentativave të një grupi ligjvenësish kosovar për të zhbërë këtë institucion ligjor, si dhe tërheqjes nga tentativat e tyre pas presionit ndërkombëtar.

Ndryshe, në këtë artikull përmendet edhe fakti që Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt 2008, gati një dekadë pas kampanjës së NATO-s e cila largoi forcat serbe nga Kosova. NATO ndërmorri këtë operacion si kundërpërgjigje pas mizorisë dhe barbarizmit të kryer nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

“Ndërsa krimet e kryera nga Serbët u gjykuan dhe dënuan nga Tribunali për ish-Jugosllavinë, krimet e dyshuara të kryera nga UCK-ja e që shumica ende nuk janë zbardhur do të gjykohen nga një Gjykatë Speciale. Kjo si një institucion i cili do të hyjë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës, mirëpo me seli në Hagë, dhe e cila në përbërje të saj do të ketë juristë ndërkombëtarë për të siguruar pavarësinë nga ndikimi dhe skena politike”, përfundohet në këtë artikull. /Lajmi.net/