Reus, futbollisti i vitit në Bundesligë

Mesfushori i Borussia Dortmundit, Marco Reus është shpallur futbollisti më i mirë i sezonit 2013-14 në Bundesligë, nga Shoqata e Futbollistëve gjermanë.

Sport

04/06/2014 20:20

Ylli i Borussia Dortmundit, Marco Reus ka fituar çmimin e futbollistit me të mirë të sezonit 2013-14 nga Shoqata e Futbollistëve gjermanë. Reus mori 28.6 për qind të votave, ndërsa bashkëlojtari i tij në largim, Robert Lewandowski doli i dyti me 20.3 për qind.

Mesfushori i Bayern Munichut, Arjen Robben përfundoi i treti me 10.1 për qind. Andre Hahn, i cili shënoi 12 gola në Bundesligë për Augsburgun, dhe ka arritur marrëveshje për transferim në Borussia Monchengladbach, fitoi çmimin e prurjes së re të sezonit me 20.3 për qind.

Trajneri më i mirë u shpall strategu i Augsburgut, Markus Winzierl, i cili udhëhoqi skuadrën e tij drejt pozitës së tetë. Ai mposhti Pep Guardiolën e Bayern Munichut dhe Jurgen Kloppin nga Borussia Dortmund.

Kurse, futbollistët e Bayernit dominuan ekipin e vitit me tetë nga 11 anëtarët e formacionit që vijnë nga Allianz Arena.

Ekipi i vitit: Manuel Neuer, Phillip Lahm, Dante, Mats Hummels, David Alaba, Arjen Robben, Thiago Alcantara, Marco Reus, Franck Ribery, Robert Lewandoswki dhe Mario Mandzukic.