Respektimi i kuotës gjinore, sfidë për paritë politike në Kosovë

Para pak ditësh, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur kryesinë e re në Qendrën e saj në Prishtinë.

Lajme

22/01/2019 20:16

Përbërja gjinore e kësaj kryesie është gjysma të gjinisë mashkullore dhe gjysma të gjinisë femërore.

Kryetar u zgjodh Arben Vitia, nënkryetare e parë, Fitore Pacolli, dhe nënkryetare e dytë, Hatixhe Hoxha.

Mirëpo, sipas anëtares së kësaj kryesie, Rinë Zhitia, ky vendim nuk ka ndodhur në bazë të kuotës përfaqësuese por nga vetë vullneti i delegatëve.

“Gratë janë zgjedhur pa kuotë përfaqësuese. Kjo ka ndodhur nga vullneti i anëtarëve të këshillit. Thjesht kanë ndodhur që janë propozuar aq shumë gra dhe 50 për qind janë zgjedhur si anëtare të kryesisë. E rëndësishme është që ato nuk janë emëruar, ato janë zgjedhur me vota” tha ajo për Kallxo.com.

Tutje ajo ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mos e këtë obligative kuotën gjinore. Zhitia shpreson që shembullin e Prishtinës do të ndjekin edhe komunat e tjera.

“Normalisht që ne do të punojmë që në të gjitha vlerat e organizimit edhe të punës në Lëvizjen Vetëvendosje edhe po shpresojmë që kjo me qenë shembull për të gjitha qendrat e tjera edhe në pjesë të tjera të organizimit”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur për atë se a bëhet ndarja e financave të partisë në bazë të kuotës gjinore ajo tha që ende nuk kanë ndonjë vendim për këtë.

“Më 23 dhjetor në këshillin e përgjithshëm të partisë është votuar një rezolutë për të drejtat e grave. I përfshinë shumë pika për angazhimin e grave në të ardhmen në lëvizje por nuk ka diçka në drejtim të financimit”, theksoi Zhitia.

Demokracia Plus: Përfaqësimi i grave brenda partive politike ka pësuar regres

Roberta Osmani, hulumtuese në organizatën Demokracia Plus (D+), tha për KALLXO.com se është një hap shumë i mirë i Lëvizjes Vetëvendosje që kryesinë ta ketë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë. Mirëpo, sipas saj, ende ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Përfaqësimi i grave brenda partive politike për një kohë të gjatë nuk ka avancuar, përkundrazi ka pësuar regres. Në përgjithësi, gratë nga partitë politike rekrutohen para zgjedhjeve për përmbushje të kuotës gjinore dhe nuk ka ndonjë rekrutim të vazhdueshëm apo investim konsistent  në mes të cikleve zgjedhore”, tha ajo,

Sipas saj, emërimi i grave në kryesi është një hap solid në drejtim të barazisë gjinore brenda partive por edhe në përfaqësim në pozita të larta vendimmarrëse.

Osmani ka folur edhe për ndarjen e financave brenda partive politike, me ç’rast tha se mosndarja e financave në mënyrë të barabartë ndikon direkt edhe në mospërfaqësim të barabartë të grave në pozita vendimmarrëse.

“Barazia gjinore nënkupton përfaqësim të barabartë të të dy gjinive edhe në ndarjen e burimeve financiare, dhe jo vetëm në përfaqësim. Mungesa e përfaqësimit të grave në Kryesi dhe si rrjedhojë mosmarrja parasysh e aspektit gjinor në ndarjen e financave brenda partive politike është ndër arsyet kryesore për mospërfaqësim të barabartë të grave në pozita vendimmarrëse”, tha ajo.

Edhe institucionet publike nuk respektojnë kuotën gjinore

Në bazë të një hulumtimi të bërë nga BIRN, partitë politike në Kosovë vazhdojnë në dominohen nga burrat, të cilët janë në shumicën e pozitave udhëheqëse brenda strukturave të partive dhe si rrjedhojë kuotat gjinore nuk zbatohen në shumicën prej tyre.

Ky hulumtim ka trajtuar edhe aspektin e punësimit të grave nëpër institucione, ku në bazë të gjetjeve pabarazia e grave në shifra shihet edhe në punësimin e tyre në institucionet publike.

Hulumtimi zbardh se presidenca e vendit ka të punësuar 76 persona, prej të cilëve 54 janë burra dhe 22 gra.

Në Agjencinë për Barazi Gjinore të dhënat tregojnë se gratë janë më pak të punësuara në nivelin qendror të administratës, ku punojnë 6 mijë burra më shumë. Aty nga 28 mijë e 557 të punësuarit vetëm 11 mijë e 14 gra janë të punësuara.