Reshjet e shiut, dëmtojnë sipërfaqet kultivuese të grurit

Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Imer Rusinovci, tha se reshjet e fundit të shiut, dëmtojnë sipërfaqet kultivuese të grurit.

Lajme

29/06/2018 07:26

“Në vitet paraprake (për dallim nga ky vit), fundi i muajit Qershor, karakterizohej me temperatura të larta dhe deficit të reshjeve në fazën e pjekurisë së grurit. Viteve të kaluara, temperaturat e larta rezultonin në ndërprerjen e vegjetacionit, humbjen e ngjyrës së gjelbër dhe fundin e procesit të fotosintezës, te bimët e grurit. Mirëpo këtë vit, aktualisht kur gruri është në fazën e pjekjes dhe pritet të fillojnë korrje – shirjet, po përballemi me reshje të paparashikueshme, andaj në kushte të tilla do të kemi rënie të rendimenteve dhe ndryshime në cilësitë teknologjike të fryteve të grurit”, tha ai për RTK.

Sipas tij zvogëlimet e rendimenteve (si rezultat i reshjeve të shiut) në pjekurinë e plotë të grurit, varen nga forma e shiut që bie. Nëse shiu bie në formë të qetë, humbjet më të mëdha shkaktohen në derdhjen e kokrrave, ndërsa nëse shiu bie me intensitet të ulët në kohë të zgjatur dhe nëse kjo ndodh në mënyrë të përsëritur, humbjet janë për shkak të aktivizimit të proceseve fiziologjike në bimët e grurit. Pozita e kallinjëve në pjekurinë e plotë (e lakuar apo vertikale), madhësia e kokrrave, glumave dhe qelquritetit të kokrrave, ngjyra e fryteve (kokrrave), cilësitë teknologjike të kokrrave të grurit dhe shumë veçori tjera, në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi ndikojnë në uljen e përgjithshme të prodhimit të grurit.

“Rajonet tona prodhuese varësisht nga lloji i klimës, ndahen në rajone me klimë të mesme kontinentale dhe në rajone me klimë kontinentale me një ndikim të butë të klimës mediterane (Rrafshi i Dukagjinit). Këto veçori të klimës në vendin tonë, ndikojnë që rajonet tona prodhuese të kenë kushte moti të ndryshueshme, të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme, sidomos në aspektin e sasisë dhe shpërndarjes së reshjeve.

Andaj, këtë vit ngastrat tona kultivuese me grurë, do të kenë dallime në prodhimtarinë dhe cilësinë e grurit. Përmbajtja e lagështisë në frytet e grurit, papastërtia dhe masa hektolitrike do të jenë të pakënaqshme. Pakënaqësia e prodhuesve do të jetë shumë e madhe në realizimin e masës hektolitrike (tregues shumë i rëndësishëm i cilësisë së grurit), e cila këtë vit do të jetë nën standard (76 kg/hl), tha ai.

Çdo fermer sipas Rusinovcit që realizon masë hektolitrike më të lartë se 1 kg/hl në raport me standardin, prodhimin e grurit do t’a ketë më të lartë për 0.5%, ndërsa nëse realizmi i prodhimit të grurit është më i ulët 1 kg/hl në raport me standardin, prodhimi i grurit do t’ a jetë më i ulët për 0.5%.