Reshitaj: Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë heroinat e shtetit tonë

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka marrë pjesë në përmbylljen e fushatës vetëdijësuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Lajme

07/12/2017 15:36

Në ceremoninë e prezantimit të të gjeturave të kësaj fushate, ministrja Reshitaj e ka vlerësuar si hap të madh dhe të rëndësishëm këtë fushatë në drejtim të integrimit të kësaj  kategorie në shoqëri dhe trajtimit të duhur institucional që kjo kategori meriton.

“Gruaja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit, janë nënat shqiptare ato që rritën dhe ia falën Kosovës djemtë dhe vajzat më të mira, janë ato që luftuan kundër të keqes për një të ardhme më të mirë për fëmijët e te tyre, vuajtjet e të cilave nuk po përfundojnë as sot”, ka deklaruar ministrja Reshitaj.

Ministrja ka thënë se memoria kolektive për to nuk duhet të lihet e partikuluar dhe e painstitucionalizuar. “Sakrificat e tyre do të shërbejnë si edukim për qëndresën njerëzore edhe për shumë breza të ardhshëm. Ato janë heroinat e shtetit tonë, ato meritojnë para së gjithash respekt, njohje dhe  trajtim institucional, meritojnë përkrahje sistematike, punësim e pjesëmarrje të barabartë në institucione”, është shprehur ministrja Reshitaj.

Ministrja Reshitaj ka vlerësuar vendimin e kësaj Qeverie për caktimin e pensionit për këtë kategori duke kërkuar që si shoqëri të angazhohemi më shumë për një jetë dinjitoze për këtë kategori.

Ministrja ka rikujtuar para të pranishmëve aktivitetin e saj pas përfundimit të luftës e cila bashkë me Kryqin e Kuq belg ishte angazhuar në trajtimin psikologjik dhe mjekësor të grave dhe vajzave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Ajo kujtoi edhe një poezi (Letra e një të vdekuri) që ua kishte kushtuar këtyre grave e cila më pas ishte shpërblyer edhe me çmim ndërkombëtar.