Reshitaj u bën thirrje komunave për largimin e deponive ilegale të mbeturinave

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Albena Reshitaj, i është bashkuar edhe sot aksionit për pastrimin e Suharekës.

Lajme

20/04/2018 16:23

Reshitaj teksa falënderoi kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion tha se komuna e Suharekës duhet të jetë shembull edhe për komunat e tjera.

“Edhe sot po vazhdon aktiviteti i komunës së Suharekës për ta pastruar gjithë qytetin dhe fshatrat e kësaj komune, pjesë e një fushate sensibilizuese për gjithë Republikën e Kosovës që ta pastrojmë dhe ta gjelbërojmë Kosovën”, citohet të ketë thënë Reshitaj.

Sipas komunikatës për medie, ajo madje paralajmëroi edhe prezantimin e një strategjie kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave.

“Më gëzon jashtëzakonisht fakti sepse janë mobilizuar të gjithë së bashku për të pastruar dhe kjo dëshmon se qytetarët janë vetëdijesuar sa i përket rëndësisë që ka një mjedis i pastër. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shumë shpejt do të dalë me prezantimin e strategjisë kombëtare për menaxhim të integruar të mbeturinave. Bashkë me ekspert vendës e ndërkombëtar, por edhe me partner dhe donatorë do t’i prezantojmë veprimet tona konkrete si ministri për menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka thënë Reshitaj.

Ministrja ka paralajmëruar edhe pastrimin e pjesës veriore të Mitrovicës.

Ajo tha se aksioni do të mbështetët edhe nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë si dhe vullnetarë të komuniteteve tjera.

“Ne kemi qenë në Mitrovicë e kemi filluar aksionin e pastrimit atje për shkak te specifikave që i ka si qytet dhe do të vazhdojmë edhe më tutje në pjesën Veriore të Mitrovicës ku jemi duke përgatitur një agjendë të veçantë në të cilen janë duke na ndihmuar edhe Zyra e BE-së, ambasada amerikane dhe KFOR-i. Gjithashtu do të kemi edhe vullnetar të komuniteteve të tjera të cilët do t’i bashkohen pastrimit të Mitrovicë”, ka deklaruar Reshitaj.

Ndërkaq Kryetari i Suharekës, Bali Muhamrremaj, ka falënderuar ministren Reshitaj për mbështetjen duke theksuar se synim i tij si kryetar është që kjo komunë të jetë më e pastër dhe më e gjelbëruara në Kosovë.

Ne aksionin e sotëm të pastrimit kanë marrë pjesë rreth 7000 vullnetarë, të cilët deri më tani kanë pastruar 42 pika si dhe kanë mbledhur më shumë se 800 tonë mbeturina, përfshirë edhe deponitë interne që janë hequr për dy ditë rend.