Republika e Afrikës Qendrore, një Kosovë tjetër?

Republika e Afrikës Qendrore është para kolapsit për shkak të trazirave të brendshme. Ekspertët ndërkombëtarë kanë propozuar që në këtë shtet të vendoset një administratë e përkohshme e OKB’së, sikur në rastin e Kosovës. Analizë e Christian Science Monitor.

Bota

18/01/2014 22:40

Aspiratat e mëdha politike të Michel Djotodia patën një fund të turpshëm javën e kaluar kur ai dha dorëheqje pasi që shefi i shtetit të Republikës së Afrikës Qendrore kaloi në ekzil. Kryeministri Nicolas Tiengaye gjithashtu dha dorëheqje.

Të 135 anëtarët e Këshillit Tranzitor Kombëtar (TNC), shumë nga të cilët ishin të emëruar nga Djotodia, kishin shkuar në kryeqytetin e Çadit për të ndjekur një samit të liderëve të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Qendrore (ECCAS).

Gjykata Kushtetuese e Afrikës Qendrore dhe ECCAS e kanë ngarkuar TNC’në për përzgjedhjen e një lidershipi të ri të Republikës. Ata kanë 15 ditë afat për ta bërë këtë.

Kushdo që të zgjidhet si President i përkohshëm nuk do të ketë të drejtë të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Alexandre Ferdinand Nguendet, kreu i TNC’së, pritet që të jetë njëri nga ata që do t’i vendosë emrat. Zgjedhjet pritet të mbahen deri në shkurt të vitit 2015.

Ka pasur festime në Kryeqytetin Bangui pas lajmërimit për dorëheqjen e Djotodia’s. Degjenerimi i shpejtë i tyre në dhunë vërteton se pak gjëra kanë ndryshuar.

Derisa TNC ta japë fjalën e vet, shumica e Afrikës Qendrore vazhdon të përballet me pasojat e dështimit të qeverisë. Dhuna, kaosi, varfëria dhe sëmundjet janë kudo. Rreth një milion banorë janë zhvendosur si pasojë e raundit aktual të luftimeve, rreth 2 milionë njerëz (gjysma e popullatës) kanë nevojë për ndihma humanitare, ndërsa rreth një mijë janë vrarë.

Ex- Seleka (Aleanca) dhe milicia rivale anti- balaka, anti- hanxhar, si dhe vullnetarët lokalë po e gërryejnë vendin.

Një qytet në çadra është krijuar në hijen e kampit për 1600 ushtarë paqeruajtës francezë jashtë Bangui’t përderisa banorët largohen për shkak të dhunës që vazhdon. Kampi është rrit më shumë se pesëfish që nga mesi i dhjetorit dhe tani ofron strehim për më shumë se 100 mijë njerëz. Të tjerë kampe janë ngritur gjithkah nëpër këtë shtet, pasi që njerëzit kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre. Mjekët pa Kufij thonë se higjiena aty është “katastrofale” dhe se ka shumë gjasë që të përfshihen nga “epidemitë e të gjitha llojeve”.

Deklarata e fundit e Nguendet se “anarkia ka marrë fund” nuk është e vërtetë. Çfarëdo qofshin rezultatet e diskutimeve aktuale brenda TNC’së, çdo qeveri pasardhëse do ta ketë të vështirë ta ndalë dështimin e shtetit. Ndërsa politikanët, por edhe disa liderë të milicia duket se janë të angazhuar tërësisht në grindjet për të marrë sa më shumë pushtet, Republika e Afrikës Qendrore vazhdon të  shpërthejë nga brenda.

David Smith, një ekspert rajonal, tha se një administratë e përkohshme e OKB’së, e tillë çfarë ishte vendosur në Kosovë, mund të jetë opsioni më i mirë për të siguruar një stabilitet afatgjatë dhe pajtim kombëtar në vend të ndonjë zgjidhjeje tjetër politike afatshkurtër.

Pjesëtarë të Policisë së OKB’së në Kosovë

 

Me brengat në rritje për përsëritjen e mundshme të një gjenocidi sikur që ndodhi në Ruandë në vitin 1994, komuniteti ndërkombëtar dhe Unioni Afrikan duhet ta shqyrtojnë seriozisht propozimin e Smith.

Përveç Kosovës, edhe Namibia është një precedent i suksesshëm afrikan për një administratë të përkohshme të OKB’së gjatë transicionit të vet nga sundimi i Afrikës së Jugut në pavarësi të plotë në vitin 1990.

 

(Christian Science Monitor)