Reporterët Pa Kufij: Shteti të marrë në mbrojtje gazetarin Visar Duriqi

Një specialist i islamizmit është akuzuar për braktisje të fesë, dhe është kërcënuar me prerje koke.

Lajme

03/09/2014 15:40

Reporterët Pa Kufij janë jashtëzakonisht të shqetësuar dhe i bëjnë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ta marrë në mbrojtje gazetarin kosovar Visar Duriqi, i cili është i specializuar në Islamin politik. Ky gazetar ka pranuar disa kërcënime me vdekje, duke përfshirë kërcënime me prerje koke, që nga koha kur një grup radikalësh e kanë akuzuar për braktisje të fesë.

Fakti që Visar Duriqi ka marrë më shumë se 10 kërcënime do të duhej t’i alarmonte autoritetet për seriozitetin e kësaj situate. Në raportimet e tij, ai vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen se në Kosovë ekzistojnë grupe ekstremiste. Kjo e rritë shqetësimin për sigurinë e tij.

Reporterët Pa Kufij, i bëjnë thirrje urgjente autoriteteve ta marrin në mbrojtje Duriqin, si masë parandaluese deri sa përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Gjendja e sigurisë së Duriqit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe kërcënimet ndaj tij duhet të merren seriozisht,” ka thënë sekretari i përgjithshëm i Reporterëve Pa Kufij, Cristophe Deloire.

“Qeveria duhet t’i sigurojë atij mbrojtje policore, kështu që ne i kemi shkruar ministrit të punëve të brendshme për t’ia kërkuar një gjë të tillë. Në të njëjtën kohë, duhet të iniciohet një investigim për t’i identifikuar përgjegjësit për këtë sjellje të papranueshme, dhe më në fund drejtësia të merret me ta.”

Mbulimi i çështjeve islamiste dhe ekstremizmit fetar është bërë burim i shqetësimeve të grupeve radikale në Kosovë. Ai ka përshkruar se si të rinjtë myslimanë po indoktrinohen dhe ua mbushin mendjen të shkojnë në Siri për t’ju bashkuar grupeve xhihadiste. Ai ka vënë dritë mbi qëllimet terroriste të anëtarëve të caktuar të komunitetit radikal mysliman.

Fakti që edhe policia ka ndërmarrë disa operacione për shkatërrimin e rrjeteve xhihadiste që operojnë në Kosovë, konfirmon se shkrimet e tij për veprimtarinë e grupeve radikale islamike kanë qenë plotësisht të sakta.

Kur Forumi Rinor i Myslimanëve e akuzuan Duriqin për braktisje të fesë përmes një komunikate në web-sajtin e tyre më 15 gusht, kthyen gjithë forcën e tyre morale kundër tij.

Strategjia nuk është e re. Braktisja e fesë është e dënueshme me vdekje në disa vende myslimane, dhe myslimanët kosovarë të cilët marrin interpretim radikal të Kur’anit, pajtohen se vdekja është dënimi i merituar për ata që e braktisin fenë. Komunikata e Forumit Rinor të Myslimanëve, shkaktoi një valë urrejtje të komunitetit radikal mysliman kundër Duriqit.

“Pas publikimit të komunikatës kam marrë disa kërcënime, kryesisht në Facebook,” ka thënë Duriqi për Reporterët Pa Kufij. “Deklarata e atij forumi është shqiptim i vdekjes. Jam kërcënuar me prerje koke. Shpresoj se policia do ta hetojë shpejtë këtë çështje. Për momentin nuk ndihem aspak i sigurt.”

Kosova rangohet e 80’a për shkallën e lirisë së shtypit, nga 180 vende të indeksit të Reporterëve Pa Kufij.