Replika të ashpra për ndarjet e ulëseve në Kuvend

Në seancën e sotme po diskutohet për ligjin për zgjedhje. Albulena Haxhiu ka thënë se është duke u munduar kontrabandimi për futjen e një neni ku flet për ndarjen e ulëseve në Kuvend. Arben Gashi tha se deklarime të tilla janë tentim për manipulim.

Lajme

03/04/2014 10:25

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare janë deklaruar për ligjin për zgjedhjet, ku kanë konstatuar se ligji për zgjedhje në fakt nuk ka ndonjë ndryshim esencial nga ligji i vjetër.

Arsim Bajrami nga PDK ka përkrahur këtë ligj por ka theksuar se në esencë nuk ka reformë të mirëfilltë.

“PDK jep përkrahje parimore. Ne jemi të vetëdijshëm se ky ligj nuk është një reformë substanciale për të cilën Kosova ka nevojë”.

Albulena Haxhiu ka thënë se Komisioni për legjislacion ka “kontrabanduar ” nenin 108 b, e cila flet për ndarjen e ulëseve në Kuvend. Ajo tha se ky nen ka ardhur në Kuvend pa u votuar në Komision paraprakisht.

“Neni 108 b për ndarjen e ulseve sepse kjo është kontrabandë. Ky është tentim për degradim të kuvendit për të promovuar apetitet e PDK-së”.

“Për shkak të kontrabandimit të ulëseve ne do të abstenojmë në këtë fazë”.

i menjëhershëm qe reagimi i Kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi. Ai tha se deklaratat e Haxhiut janë manipulim dhe se ajo dhe partia e saj “janë përgjegjës për vonimin e ligjit që tre javë”.

“Sa i përket deklaratës, është e pavërtetë dhe është manipulim. Varianti ka qenë shumë qysh në komisionin ad hoc. Është në të gjitha korrespodencat e komisionit dhe është votuar në komision. Është një paturpësi e një deklarimi të tillë. Ajo është fajtore personalisht që 3 javë ditë që është vonuar ligjin sepse se ka bërë kuorumin”.

Edhe Albulena Haxhiu ju kundërpërgjigj Gashit duke thënë se LDK ka vonuar ligjin për zgjedhjet që tre vite.

“Z.Gashi po thotë që Vetëvendosje i ka fajet  që ligji është vonuar që 3 javë dhe kjo gjë është e pavërtet sepse ju si LDK që tre vjet e keni votuar herë për interesa të juaja herë për interesa të PDK-së.

“Sa i përket formulës për ndarjen e ulëseve. E vetmja herë që është diskutuar për të ka qenë kur ëhtë folur në një grup punues”.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se me deklarimet e sotme të Arben Gashit është intriguar pasi që LDK-ja dje kishte deklaruar se Vetëvendosje “është parti e vogël”, e sot doli që deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu “paska fuqi të madhe, aq sa për të bllokuar punën e Komisionit për Legjislacion”.

Ymeri thotë se LDK-ja nuk ka qëndrime të njëjta për të njëjtën çështje.

“Më integrojë sot diçka që dëgjova, deklarata e Kryetarit për Komisionin për Legjislacion, i cili tha që deputetja Albulena Haxhiu e paska bllokuar reformën zgjedhore për tre javë rresht , me qenë se e paska bllokuar punën në Komisionin për Legjislacion”.

“Unë e kam parë dhe e kam dëgjuar që Albulena është një deputete goxha e fuqishme, por që e ka këtë fuqi kaq të madhe, sa për ta bllokuar krejt punën e komisionit nuk e kam ditur”.

“Dje LDK-ja, në një komunikatë kanë thënë që Vetëvendosja është shumë e vogël për t’u marrë me çështje madhore. Kurse sot, Arben Gashi i LDK-së thotë që Vetëvendosja paska qenë kaq e madhe sa për ta bllokuar punën e Komisionit. Dhe kjo gjë ose na tregon që Arbeni nuk është i LDK-së tamam-tamam, ose na tregon që LDK-ja nuk është njëjtë, pasi që kanë qëndrime të ndryshme për çështjen e njëjtë edhe karshi subjekteve politike”.

Ndryshe, Albulena Haxhiu ka propozuar që numërimi i votave të bëhet në një qendër komunale. Edhe Myzejene Selmani ka përkrahur një propozim të tillë duke thënë se kjo gjë do të parandalonte manipulimet.

Ardian Gjini nga AAK ka thënë se edhe pse ligji nuk ka ndryshime të mirëfillta, por gjithsesi AAK-ja do e votojë në këtë fazë.

“Kish me qenë non sens se tash ta bllokojmë ligjin. Ne si grup parlamentar do ta votojmë. Po duket se Kosova me këtë ligj nuk do të ndryshohet asgjë”, tha Ardian Gjini nga AAK.