Rënia e shtetit në pafuqi

Nuk ka fare alternativë për krijimin e shpejtë, që matet me pak javë, të Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës.

Opinion

17/10/2014 12:41

Diçka duhet të ndodhë. Diçka do të ndodhë. Kështu nuk bën më.

Këto tri fjali, me autorë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, janë në qarkullim e sipër në politikën kosovare, së paku prej fundit të gushtit, kur u mor vesh vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për procedurën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në fakt, përditë ndodhë diçka në politikën kosovare, me takime dhe deklarata të protagonistëve vendorë. Çdo ditë, thuajse, ka prononcime të diplomatëve të shteteve kryesore të Perëndimit. Tash e sa javë jemi dëshmitarë edhe të nismës së Presidentes Jahjaga, për të lehtësuar ndërmarrjen e vështirë të krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës. Ama të gjitha këto ngjarje, nuk kanë lëvizur gjë prej vendit.

Ka një pajtueshmëri të plotë ndër ne, së paku këtu nuk ka dallime pra, që Kosova po përballet me një bllokadë të mirëfilltë politike, të koduar tashmë me emrin ngërç.

Deri para pak ditësh, kjo ka qenë kryefjala e përshkrimit të gjendjes politike në vend.

Së fundit, të gjithë ne kuptuam që do të na shfaqet, nëse në ndërkohë nuk ndodhë mrekullia e bërjes së Kuvendit dhe e Qeverisë së Kosovës, edhe një tjetër dukuri simotër e kësaj të parës, që shquan raportet e Kosovës me Perëndimin.

Ngërçi politik sipërfaqësohet si paralizë e brendshme, ndërsa duket që tash e tutje do të përballemi edhe me një lloj të izolimit ndërkombëtarë, i cili do të na shfaqet, ashtu siç ndodhi tashmë, me anulimin e vizitës në Kosovë të Ambasadores Tina Kaidanow  (të cilën e njohim të gjithë), dhe të zyrtarëve të tjerë perëndimorë. Nuk është ky ndëshkim ndaj vendit. Kjo është fare e qartë. Nuk ka Perëndimi problem me shtetin e Kosovës, si të tillë. As nuk synohet farë interferimi në ngjarjet e ndërlikuara kosovare. Thjeshtë, në Prishtinë aktualisht mungon adresa e përgjegjësisë së mirëfilltë qeveritare dhe parlamentare, prandaj, nuk ka pse të ndodhin vizitat të cilat synojnë të kryejnë punë me autoritetet kosovare. Këndejpari nuk ka ndodhë akoma ‘punësimi’ i Kuvendit dhe i Qeverisë, prandaj ndërkombëtarët nuk kanë kohë për humbur me vizita të kota.

Zhgënjimi i shprehur qartë prej diplomatëve kryesorë perëndimorë në Prishtinë me këtë rrjedhë të re të dëmshme, llogaritet që do të jetë një shtytës i ri për të përshpejtuar një proces që objektivisht, as që ia ka nisur.

Duket që një konkludim i kësisoj mund të klasifikohet në atë sferën e shpresës pa mbulesë.

Një tjetër zhvillim, objektivisht, më kërcënues se ky i mëparshmi  (fatkeqësisht duhet thënë, më kërcënues), është në mbërritje e sipër në Kosovë. Ai na prekë aty ku realisht dhemb më së shumti, në kuletë, e cila tek ne, si kudo tjetër në një vend demokratik, ka nisë të bëhet përcaktuese për fatin politik të partive dhe të politikanëve në përgjithësi.

Tashmë është bërë publike që Kosova, me kornizën aktuale ligjore, mund të funksionojë si shtet, në segmentin kyç të Buxhetit të vet, më së largu deri me 1 prill të vitit 2015, nëse në ndërkohë, nuk do të ketë Kuvend dhe Qeveri të Kosovës. Me 1 prill të vitit të ardhshëm, nuk do të ketë rroga dhe pensione, dhe shteti do të mbetet me duar në xhepa.

Është ky një parashikim tmerrues.

Kalkulimet për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të cilat kinse do të mund të na kthenin të zakonshmen në politikën kosovare e cila sivjet nuk ka banuar këndejpari as një të vetmen ditë, flasin për një orar të votimit që nuk do të ecte tej javës së parë të dhjetorit, ashtuqë disi Kuvendi dhe Qeveria e re, të jenë në fuqi më së largu në shkurt, për ta shmangur rënien e shtetit në pafuqi të rëndë, në prill të vitit të ardhshëm.

Nëse këtij kalkulimi i shkohet deri në fund, atëherë del që hiç më larg se në javën e parë të nëntorit do të duhej të shpallej data e këtyre zgjedhjeve.

Përllogaritja, njëmend qind për qind e saktë këtu, flet për zgjedhjet e reja si një aventurë të rrezikshme për vendin. Qytetarët në masë të madhe nuk duan të votojnë sërish, për të tretën herë brenda 12 muajve,  midis tjerash, edhe për shkak që nuk kanë kurrfarë garancie që zgjedhjet e reja do të sjellin qartësinë dhe stabilitetin e synuar.

Hesapet janë shumë të qarta, në fakt në këtë politikën kosovare.

Nuk ka fare alternativë për krijimin e shpejtë, që matet me pak javë, të Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)