Rënia e emigrimit të kosovarëve lë pa punë taksistët e Suboticës

Ashtu si u shfaqën, njëjtë u “zhdukën” qytetarët e Kosovës nga kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan gazeta kroate Jutarnji List.

Lajme

28/02/2015 22:33

Më 24 shkurt, kur një ekip gazetarësh vizituan Suboticën, nuk ishte paralajmëruar se ndonjë autobus do vinte nga Kosova në stacion.

“Taksistët nuk kanë punë. Ndonjë prej tyre është duke u ruajtur mos ta sheh policia. Ai merret vesh me një grup të rinjsh somalezë. Për dallim nga afganët, ata janë shumë të rregullt. Njëri nga ta, me një anglishte solide sqaron se qëllimi i tyre është Perëndimi, por nuk kanë në mendje ndonjë vend të zgjedhur”, shkruan në reportazh.

Sipas ditores kroate, taksistët kanë treguar se si kanë pasur probleme me migrantët nga Kosova dhe se Policia ua ka ndaluar rreptësishtë atyre që të voziten më larg se vendi i quajtur Paliq.

“Ata që donin të fitonin shumë. I dërgonin deri te kufiri ku përfundonin si pjesëmarrës në ndihmë të kalimit ilegal të kufirit. Vendi më i vizituar ka qenë vila ‘Lira’ në Paliq, pronë e Sami Hakajt, shqiptar nga Kosova, të cilën vend e ktheu në punkt transporti. Për një pagesë aty ai siguronte strehim dhe ushqim e më pastaj i dërgonte matanë kufirit”, shkruan gazeta.

Në Vilën “Lira” nuk ishte më askush, as mysafir e as staf. Në derë të hyrjes është porosia se janë në pushim kolektiv.

“Kjo me shqiptarët nuk ka qenë punë e pastër. Ata kanë pasur ndonjë plan. Kush do të mundte që aq shumë njerëz në një periudhë të shkurtër kohore t’ i kthejë”, ka thënë një nga taksistët.

Sipas Jutanrji Listit, ekzistojnë tri teori rreth asaj se pse shqiptarët e Kosovës përnjëherë ia mësynë kufijve të Bashkimit Evropian.

“Një pjesë e mediave serbe shkruante se kjo është tezë e politikanëve që vala e imigrantëve ta komprometojë Serbinë që asaj prapë t’i kthehet regjimi i vizave. Rrëfimi tjetër thotë se krejt kjo i shkon për shtati Beogradit, që do të nxiste Perëndimin që ia njohu pavarësinë e njerëzit po ikin nga shteti. Ekziston edhe e treta, e ndoshta më e mundshmja, e ngjashme me kryetarin e Komunës Asotalom, Laslo Toroçkai, i cili tha se shqiptarët nga Kosova shkuan ën Gjermani për të marrë ndihma financiare ku edhe i dërguan fëmijët, dhe kur Gjermania do t’i ndihmojë, ata sërish do të kthehen prapa”.