Rënia e çmimit të naftës nuk ka ndikuar në çmimet e produkteve

Çmimi i naftës ka rënë dukshëm ditëve të fundit. Nga 1 euro e 20 centë, sa ka qenë në muajt e verës, tash një litër naftë mund të blihet me një euro, apo në raste me të mira edhe me 98 centë.

Lajme

26/12/2014 07:57

Krahasuar me një vit më parë çmimi i naftës ka rënë deri në 35 centë, pasi rreth 1 euro e 32 centë pati arritur çmimi i naftës në kulmin e saj, shkruan sot Koha Ditore.

Por kjo ulje drastike e çmimit të naftës nuk pritet të reflektojë shpejt edhe në uljen e artikujve të tjerë ushqimorë për prodhimin e të cilëve si kosto hyjnë edhe shpenzimet për derivate.

Ndonëse bizneset çdoherë e kanë arsyetuar shtrenjtimin e çmimit të artikujve të tyre me çmimin e lartë të karburanteve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e pranon se bizneset në Kosovë po reagojnë shumë ngadalë për t’i ulur çmimet e produkteve që importohen e sidomos atyre që janë në bursë, siç është nafta.

Burim Piraj, drejtor i përgjithshëm në fabrikën e mishit “Meka”, ka thënë se rënia e çmimit të naftës do të ndikojë në rënien e kostos së prodhimit të produkteve të mishit.

E një furrtar, i cili ka kërkuar të mos i përmendej emri, ka folur sinqerisht duke thënë se nuk e ka në plan t’i ulë çmimet e bukës, megjithëqë ka rënie të kostos së prodhimit.

Kryetari i Shoqatës së Naftës, Fadil Berjani, ka thënë se çmimi i naftës gjatë këtyre javëve ka rënë për rreth 20 centë.