Rendimenti i ulët i grurit në Dukagjin, gabime në përdorimin e farës
Rendimentet e sivjetme të grurit prej rreth katër tonë për një hektar në Rrafshin e Dukagjinit konsiderohen nga ekspert e bujqësisë si jo të kënaqshme.
Lajme
Kjo sasi e prodhuar e grurit, sipas tyre, është pothuajse e ngjashme me vitet paraprake, ndonëse kualiteti i tokës dhe kushtet agroekologjike janë të favorshme për kultivimin e grurit në këtë pjesë të vendit.
Rendimentet nuk kanë ndryshuar edhe pse mekanizmi edhe teknologjia e punimit të tokës janë avancuar vitet e fundit.
“Normal ishte dashtë të ketë rendimente deri në pesë tonë për një hektar”, thotë për gazetën Tribuna drejtori komunal i Pejës për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, Mehdi Mulaj.
Një nga faktorët kryesorë për rendimente të larta të grurit është cilësia e farës që përdoret. Mulaj thotë se te ne ende ka mjaft fermerë të cilët përdorin farën për mbjellje të grurin që e ndajnë nga rendimenti i të korrave të vjetme, ose e marrin nga fermeri tjetër.
“Kjo formë e mbjelljes nuk garanton rendimente të larta. Fara cilësore, edhe pse ka çmim më të lartë, ia vlen dhe e arsyeton veten që të përdoret. Prandaj, fermeri duhet gjithsesi t’i kushtojë rëndësi më të madhe kualitetit të farës dhe nuk mjafton vetëm me e hedhë farën e të pritet pastaj të rritet dhe të korret”, thotë Mulaj.