Rëndësia e Zgjedhjeve

Në raportin e radhës për Kosovën, Ban Ki-Moon flet për rëndësinë e zgjedhjeve lokale dhe situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të vendit. Po ashtu, porosit që të vazhdohet me implementimin e marrëveshjes së Brukselit.

Lajme

29/10/2013 11:57

Në raportin e radhës për Kosovën, Ban Ki-Moon flet për rëndësinë e zgjedhjeve lokale dhe situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të vendit.

Suksesi në zgjedhjet lokale, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, do të ketë ndikim të madh në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, Ban Ki-Moon, në raportin e vet të rregullt tremujor për Kosovën.

Situata e sigurisë në Kosovë në thelb është e qetë, me incidente të përkohshme ndëretnike, me të dyja palët që tregojnë angazhim në parandalimin e tensioneve në teren, në mënyrë që të bëjnë të mundur që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura, të ecë tutje, thuhet në Raportin e Ban Ki-Moon, raporton Tanjug.

Ban Ki-Moon porosit që të vazhdohet me implementimin e marrëveshjes së Brukselit, ndërsa shprehet se edhe pse lidershipi i Beogradit mbështet daljen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, edhe më tej ekziston një fushatë e ashpër në veri të Kosovës kundër daljes në zgjedhje.

Ai ka falënderuar Beogradin dhe Prishtinën për angazhim të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duke thënë se liderët e të dyja palëve, në shumë çështje sfiduese, kanë treguar “vizion dhe përgjegjësi”.

“Përparimi në teren drejt paqes dhe stabilitetit do të jetë i një rëndësie të veçantë për aspiratat e Serbisë dhe Kosovës drejt integrimit evropian. Të dyja palët kanë marrë hapa impresivë që t’i afrohen këtij qëllimi dhe progresi i mëtejmë në normalizimin e marrëdhënieve, nën kriteret e vendosura nga BE, do të ketë rëndësi të madhe”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së në raportin që i ka dërguar Këshillit të Sigurimit.

Ai gjithashtu ka thënë se përgatitjet në teren kanë treguar një numër sfidash politike dhe procedurale duke filluar nga regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, pamja e materialit zgjedhor si dhe përfaqësimi i serbëve në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa shtoi se për këto çështje është vendosur falë dialogut të vazhdueshëm të të dyja palëve.

Raporti, i cili duhet të debatohet në Këshillin e Sigurimit rreth mesit të nëntorit, përfshin edhe vrasjen e doganierit lituanez të EULEX’it në pjesën veriore të Kosovës, më 19 shtator.

Ban Ki-Moon ka thënë në raport se Zyra e UNMIK’ut në Mitrovicë funksionon ende dhe se ajo “mbështet përparimin politik dhe institucional të rajonit, duke u përpjekur të lehtësojë kontaktet ndërmjet kompanive të rëndësishme nga të dyja anët e lumit Ibër”.

“Për më tepër, Përfaqësuesi im Special Farid Zarif mban takime të rregullta me përfaqësues relevantë të të dyja palëve me qëllim që të ketë një dialog konstruktiv”.